Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së LDK-së,
I nderuar ambasador i Gjermanisë në Kosovë, z.Rohde,
I nderuari përfaqësues i EPP z. Ehrenberg,
Të nderuar përfaqësues të organizatave partnerë të LDK-së, të Konrad Adenauer Stiftung dhe National Democratic Institute,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Kosovës, Kryetarë Komunash, Kryetarë të Degëve, Drejtorë komunal e asambleistë,
Të nderuar anëtarë a anëtare të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Zonja e zotërinj,
Më lejoni të ju uroj mirëseardhje në Konventën Programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Konventë e thirrur me qëllim të nisjes së procesit të debatit të brendshëm dhe të jashtëm, rreth hartimit të Programit tonë Politik dhe Platformës Qeverisëse të LDK-së; dhe me këtë, të ju adresohem në një fjalë më të gjatë se zakonisht, rreth qëllimeve të Konventës, organizimit tonë të ardhëm, dhe rezultateve përfundimtare që si shtëpi politike do t’i presim në këtë drejtim.
Përgjatë dy ditëve të punës së Konventës, ne kemi mbledhur të gjitha strukturat tona politike, kemi mbledhur të gjitha struktura tona udhëheqëse, sikurse kemi mbledhur të gjithë ekspertët e profesionistët e shtëpisë sonë politike, për t’i dhënë jo vetëm vëmendje këtij procesi të ri, por dhe përmbajtje thelbësore nga sot e në muajt në vijim.
Më lejoni të falënderojë në këtë drejtim, familjen tonë politike evropiane, Partinë Popullore Evropiane, që po mbështetë këtë konventë tonën të sivjetshme, sikurse t’i falënderoje organizatat partnere të LDK-së, KAS dhe NDI, që në vazhdimësi kanë mbështetur Lidhjen Demokratike në aktivitetet tona të brendshme.
Konventa Programore është thirrur me qëllim të nisjes së hartimit të programit tonë ideologjik dhe qeverisës, si element bazik i politikbërjes sonë, dhe si platformë e komunikimit me qytetarë, profesionistë e grupe të interesit dhe së këndejmi edhe dhënies së përgjigjeve politike në çështjet më jetike për ta, për ne, për gjithë Kosovën.
Në ditën e parë të punës, në këtë format të sotëm, ne do të diskutojmë mbi gjashtë shtyllat tona programore, në panele diskutuese me anëtarë dhe bartës të programit tonë politik. Do të flasim për të ardhmen e djathtës së Kosovës; për politikën e jashtme, mërgatën dhe bashkëpunimin rajonal; do të flasim për zhvillimin ekonomik, arsimin e shëndetësinë; për shtetin, sigurinë, mirëqenien e avancimin shoqëror, siç do të flasim dhe për qeverisjen lokale, ku LDK ka pushtet kryesor sot.
Në ditën e dytë të punimeve të kësaj konvente, ne do të fokusohemi me grupin e koordinatorëve të temave, të 28 fushave të ndara programore, për të formësuar metodologjinë dhe aktivitetet vijuese në muajt e ardhshëm të punës sonë të përbashkët. Në këto 28 grupe tematike, do të përfshihen profesionistët e ekspertët më të mirë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përfaqësues të botës universitare e akademike, mendimtarë të pavarur, anëtarë të shoqërisë civile e organizatave të biznesit, si dhe ekspertë ndërkombëtarë me përvojë në qeverisje. Ekipet tematike dhe koordinatorët përkatës do të udhëhiqen nga Koordinatori i Programit Politik, akademik Kujtim Shala.
Konventa e sotme programore, për LDK-në është jo vetëm mundësi e rigjenerimit të orientimeve tona ideologjike, por edhe si formë mobilizuese e të gjitha strukturave tona politike në Kosovë e mërgatë pa dallim, me qëllim të shterjes së debatit, ndërtimit të orientimeve dhe përfundimisht krijimit të një dokumenti e një drejtimi politik që na shërben si program orientues në opozitbërje sot, si program zgjedhor në garën e ardhshme nesër, dhe mbi të gjitha, si program qeverisës në qeverinë e ardhshme të Kosovës të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pas kësaj Konvente, angazhimi ynë politik do të shtrihet në çdo qytet e fshat të Kosovës, në komunikim me qytetarët tanë; e do të shtrihet në çdo grup punues në projektimin e së ardhmes për këta qytetarë. Lidhja jonë me qytetarët, me punëtorët, ndërmarrësit, mësuesit, mjekët, policët, shërbyesit civil, profesionistët e me grupet e interesit, është lidhje e domosdoshmërisë së fitores së madhe. Përderisa mbajmë veten në komunikim të drejtë dhe të drejtpërdrejtë me anëtarësinë tonë, me qytetarët tanë, me nevojat dhe bindjet e tyre; përderisa i artikulojmë idetë tona politike, hapur, sigurt dhe në konsistencë, kjo lidhje e jona të mbetet lidhje e së ardhmes. E së ardhmes të familjes sonë politike, por mbi të gjitha, e së ardhmes së vet shtetit të Kosovës dhe brezave të tjerë që do ta jetojnë atë.
Prandaj, ketë moment tonin duhet ta përdorim me plot vullnet, e para së gjithash me vetëdije të lartë për nevojat shtetërore të Kosovës dhe – së këndejmi – të vet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Pjesëmarrës të kësaj Konvente,
Lidhja Demokratike e Kosovës është tashmë në vitin e dytë të dekadës së katërt të ekzistencës së vet politike. Të tri dekadat paraprake kanë qenë të lavdishme, të mëdha, të papërsëritshme. Historia jonë, trashëgimia jonë politike, është garancë e së ardhmes sonë dhe shtetit tonë. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm, për këtë duhet të jemi të zëshëm, për këtë duhet të jemi krenarë.
Ne duhet të kujtojmë me mburrje se plot 32 vite më parë, intelektual të shquar të kohës, kishin nisur rrënimin e murit të shtypjes shekullore ndaj popullit të Kosovës. Si përgjigje ndaj thirrjes monumentale të historisë, këta themeltarë të orëve të rënda, kishin krijuar lëvizjen më të madhe e më domethënëse historike të shqiptarëve të Kosovës, kishin krijuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në krye të kësaj besëlidhje e kësaj lëvizje popullore, qëndronte prijësi ynë historik, ati themeltar i shtetit të Kosovës, Presidenti ynë, Dr. Ibrahim Rugova.
Me Lidhjen Demokratike të Kosovës, u lindën dhe aspiratat e artikuluara politike për liri, për pavarësi, për demokraci. Me Lidhjen Demokratike të Kosovës lindën dhe përpjekjet tona kolektive për jetë të lirë, të dinjitetshme, të pavarur, në shtetin e Republikës së Kosovës.
- Në këtë dekadë të parë tonën, ne nisëm projektet e mëdha identitare e organizative të shtetit të Kosovës. Organizuam “Deklaratën e 2 Korrikut” të vitit 1990; organizuam Kushtetutën e Kaçanikut të 7 shtatorit të vitit 1990; organizuam “Referendumin Popullor” të vitit 1991. Në këto ngjarje, dhe të tjera, programi politik i LDK-së u bë projekt nacional i Kosovës. Si rrjedhojë LDK krijoj sistemin e pavarur qeveritar të viteve të 90-ta. Krijimi, udhëheqja dhe implementimi i këtij organizimi – në Kosovë e në mërgatë pa dallim – nga burrat e gratë më të dedikuar të Kosovës, ishte bazë e mbijetesës shoqërore në vend, ishte bazë e solidaritetit tonë kolektiv, ishte bazë e mosnënshtrimit tonë popullor.
Ndërkaq politika përbashkuese e Ibrahim Rugovës, politika e tij e paqes, e durimit e insistimit kokëfortë për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës, u bë udhërrëfim origjinal i rrugëtimit tonë historik drejt lirisë. Ky udhërëfim rezistence ndaj Serbisë, u shndërrua shpejtë në ftesë e intervenimit ndërkombëtar në Kosovë nga aleatët tanë në SHBA e Evropë. Rezistenca e shqiptarëve, paqësore e ushtarake, aleanca perëndimore e kurorëzuar në intervenim ushtarak të NATO-s, si dhe vet liria e fund shekullit 20, mbajnë vulën e LDK-së.
- Në dekadën e dytë, dekadën e pas lirisë, LDK ndërtoj dhe udhëhoqi rrugëtimin tonë fillimisht për rindërtim e më pas dhe për pavarësi. Mbështetja masive popullore e fillimdekadës së dytë, ishte konfirmim i mbështetjes së pandryshueshme qytetare për misionin historik të nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe pijetari Ibrahim Rugova.
Në këtë mision historik, LDK udhëhoqi me formimin e institucioneve të reja shtetërore, me krijimin e partneriteteve me misionet mbikëqyrëse ndërkombëtare, me rimëkëmbjen shoqërore gjatë tranzicionit të vështirë, me ndërkombëtarizimin e çështjes së statusit të Kosovës, me bisedime sa patriotike aq edhe profesionale, e me mirëmbajtjen e aleancave nëpër kryeqendrat botërore.
Ky mision u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, e me njohjen ndërkombëtare të realitetit shtetar të Republikës së Kosovës.
- Në dekadën e tretë, LDK pati rol thelbësor në forcimin e shtetësisë së re të Kosovës. Vazhdoj me kontributin prijetar në proceset e anëtarësimit në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare politike, ekonomike, kulturore e sportive. Ndërtoj shtyllat e orientimeve kontraktuale me BE-në, si aspiratë e patjetërsueshme politike, si dhe kontribuoj në zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror në nivel qendror e lokal pa dallim.
Kauzat e LDK-së ishin kauza të një shtetit të lirë, të pavarur e sovran, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në shërbim të kësaj kauze, LDK u vendos përballë frymave populliste, përdoruese e keqpërdoruese, që Kosovën e shndërruan jo rrallëherë në fushëbetejë të papërgjegjësisë politike; çmimet e së cilës i paguajmë edhe sot.
E shkuara e jonë pra është e lavdishme. E ardhmja me ne është e domosdoshme. Yjet politike, siç i dhanë LDK-së përgjegjësinë për organizmin për liri, për pavarësi, për demokraci e shtetndërtim, do ti japin dhe përgjegjësinë për ankorimin e Kosovës në familjen Evropiane. Prandaj ky moment i yni është jetik. Prandaj këtë moment të Kosovës duhet ta kuptojmë drejtë, dhe mbi të të ndërtojmë lidhjen për të ardhmen me qytetarët tanë. LDK duhet të jetë vendimtare dhe prijetare e proceseve integruese në dekadën e saj të katërt të veprimit politik.
Të nderuar Zonja e zotërinj,
Kjo domosdoshmëri e prezencës sonë të fuqishme politike, nuk bëhet për ne. S’ka qenë asnjëherë për ne. Bëhet për vendin tonë – për vet Kosovën.
Republika e Kosovës sot udhëhiqet nga mosbesues të saj. Ajo është peng e popullizmit, arrogancës së pushtetit dhe inkompetencës qeverisëse. Jeta e qytetarëve tanë s’ka qenë asnjëherë më e pasigurt, siç është e pasigurt dhe e ardhmja integruese e Republikës së Kosovës.
Pushteti që i ka krejt, po dëshmon secilën ditë që nuk jep asgjë. Në politikë të jashtme e në procese integruese – jetike për të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë – ky pushtet popullist ka lëkundur themelet e aleancave të ndërtuara në dekada. Mungesa e guximit vendimmarrës dhe mbi të gjitha, mungesa e lidershipit në Kosovë për t’i prirë proceseve të mëdha e transformuese, e kanë vendosur Republikën tonë në anën e diskordancës me Perëndimin. Kjo përballje po i jep Serbisë secilën ditë hapësirë të avancojë agjendat e saja, e po i minon të prospektet euroatlantike të ndërtuara nëpër dekada.
Qeveria populliste as nuk ka vizion e as nuk ka ide si do të përmbyllë procesin e dialogut në krah me aleatët tanë ndërkombëtar. Ajo nuk po tregon vullnet të udhëtojë së bashku me partnerët tanë në njërën anë, e të mbrojë integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës në anën tjetër. Qeveria populliste ka zgjedhur më të lehtën – por njëkohësisht më të dëmshmen – braktisjen e dialogut dhe me këtë, braktisjen e interesave të Kosovës. Sepse sot, që ta kemi të qartë, nuk ka gjë më të dëmshme se sa status-quoja integruese e Kosovës. Mbetja jonë në vend, në kohë të tërmeteve politike e pozitive në kontinent, është regres. Ne duhet të shfrytëzojmë momentin e ri historik të unifikimit perëndimor, për të përmbyllur çështjet tona integruese dhe dialogun për njohje të ndërsjellë si mjet i realizimit të këtij integrimi. Për ta bërë një gjë të tillë, duhet guxim. Për ta bërë një gjë të tillë duhet vendimmarrje e orëve të rënda, dhe besim – besim të fortë – në SHBA dhe BE – të tillë çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur përherë.
Vendosja e agjendës properëndimore në fundin e prioriteteve shtetërore, është dëm me përmasa historike. Prandaj, nga kjo Konventë dhe në muajt vijues, LDK duhet të jetë e qartë me guximin e saj për t’i prirë proceseve të mëdha përpara; me vullnetin e pashterur për të ndërtuar konsensus të brendshëm nacional, e për të prodhuar rezultate historike ndërkombëtare. Dhe këtë, s’duhet ta bëjmë sërish për ne – sepse s’ka qenë asnjëherë për ne – por për Republikën e Kosovës dhe gjeneratat e ardhshme që do të jetojnë në të.
Në politike të brendshme, popullizmi ka qenë dhe më fatal. Përballueshmëria e qytetarëve ka pësuar goditje të njëpasnjëshme në vitin që lamë pas. Nga keqmenaxhimi pandemik, tek kriza energjetike e deri tek inflacioni rekord i çmimeve. Në çdo krizë e në çdo përballje, popullistët kanë refuzuar të jenë fillimisht të interesuar për të njohur krizat, e më pas dhe të ditur për t’i dhënë zgjidhje atyre. Në vend të kësaj, qindra miliona euro, para të taksapaguesve tanë, janë shpërndarë herë nëpërmjet aferave korruptive me përmasa rajonale; e herë në pako joefektive për blerje të paqes sociale. Përderisa projektet e mëdha kapitale, investive e progresive nuk duken askund, përderisa kapja, punësimet nepotike e aferat korruptive po shfaqen gjithkund, popullistët kanë zgjedhur krijim e një Kosove paralele në atë që njohin më së miri – propagandën.
Këtë propagandë duhet ta thyejmë. Jo duke u bërë si ta, jo duke i imituar ata. Ata që presin politikëbërjen tonë si të tyre, nuk kanë kuptuar asgjë në 32 vite ekzistence të LDK-së dhe s’mund të kuptojnë asgjë në të ardhmen që duam të ndërtojmë përpara. Nuk jemi si ta; s’duam të jemi si ta, s’do të bëhemi si ta. Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës, partia politike që i dha Kosovës lirinë, pavarësinë e demokracinë – e do t’i japë dhe integrimin euroatlantik.
Ne do të bëjmë atë që dimë të bëjmë më së miri – të japim zgjidhje konkrete ndaj problemeve dhe kronike dhe të reja të Kosovës. Në platformën tonë politike, ne do t’i japim përgjigje brengave më bazike të njerëzve tanë; nga rendi dhe ligji, tek zhvillim, shëndetësia, arsimi, mbrojtja, mirëqenia, kultura, sport, rinia e vet qeverisja. Atë që do ta flasim sot, do ta bëjmë nesër.
Të nderuar zonja e zotërinj,
Pjesëmarrës të kësaj Konvente,
Në hartimin tonë programor, duhet t’i kemi të qarta dhe orientimet tona ideologjike. Ato janë shtyllë identitare e partisë sonë, siç janë dhe projekcione të rrugëtimit tonë të ardhshëm.
LDK kultivon dhe mbron vlerat e saja tradicionale të cilat janë të ndërlidhura fillimisht me boshtin e saj veprues politik e më pas dhe ekzistencialisht me vet shtetin e Kosovës. Mbi këto vlera, në përgjigje të nevojave të kohës, duke njohur dobësitë e veta e duke shfrytëzuar të gjitha potencialet e saja, LDK ndërton të ardhmen e vet politike duke i ofruar Kosovës qeverisje të mirë, lidership të fortë e të ardhme të sigurt në familjen euroatlantike.
Për të përmbushur vizionin themeltar të saj, të një shteti të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të, LDK duhet të ketë së pari orientime të qarta ideologjike dhe programore, dhe së dyti të ketë organizim modern, demokratik e gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet e saja politike.
a) LDK duhet të definojë orientimin e vet ideologjik në vijë me kornizat nacionale, euroatlantike dhe me nevojat globale të kohës. LDK duhet të ketë ide të qarta, pa ambiguitet në çështjet madhore nacionale, në aspiratat e saja ndërkombëtare, në marrëdhëniet rajonale e në temat politike, ekonomike, të sigurisë si dhe ato mbi të drejtat e njeriut.
- Në këtë drejtim, LDK duhet të vazhdojë t’i kultivojë vlerat e veta, të një partie të qendrës së djathtë, që ruan dhe kultivon vlerat nacionale të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë; dhe që promovon politika të qendrës së djathtë, në ekonomi dhe rregullim shoqëror e atë shtetëror.
- LDK e konsideron Republikën e Kosovës, shtet i pavarur e sovran, si projekt përfundimtar, të pandryshueshëm dhe të përjetshëm. Kufijtë shtetëror të Kosovës, rendi kushtetues pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe sovraniteti territorial në gjithë Republikën e Kosovës, për Lidhjen Demokratike të Kosovës është i panegociueshëm dhe së këndejmi i pandryshueshëm.
- LDK angazhohet për marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Shqipërisë në veçanti; dhe me shtetet tjera fqinje, përkatësisht Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe me Serbinë. Me këtë të fundit, LDK e sheh dialogun politik – i drejtuar drejt njohjes së ndërsjellë – si mjet dhe rezultat të vetëm politik.
- Orientimet ideologjike të LDK-së, dhe aspiratat politike të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE, mbesin shtylla udhëzuese të pandryshueshme.
- Përveç kësaj, LDK angazhohet për politika të qarta ekonomike të qendrës së djathtë, me synim të rritjes së kapitalit privat në ndërmarrjet publike qendrore – përkatësisht privatizimin e tyre, aparat të reduktuar shtetëror në ekonomi, e rol të shtuar të shtetit në rregullator monopolesh e shtim të konkurrueshmërisë. Ne besojmë në potencialet zhvillimore ekonomike të Kosovës, në ambiciet dhe përkushtimin e ndërmarrësve, si dhe në inovacionin e gjeneratave të tashme e të ardhshme. Ne besojmë se roli i shtetit duhet të fokusohet në rend, ligj, siguri dhe në arsim e shëndetësi.
- Në realizim themelor të vlerave politike tona rreth familjes e mirëqenies kolektive, LDK angazhohet për arsim dhe shëndetësi të zhvilluar, dhe me ofrim të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht të ardhurave, regjioneve apo dallimeve strukturore. Arsimimi i gjeneratave të ardhme, kompatibil me standardet më të larta evropiane, sikurse dhe mirëqenia shëndetësore e popullsisë së Kosovës, janë parakushte të një familje aktive dhe një shoqërie progresive.
- Në besim të vlerave bazike të Republikës, LDK angazhohet për prezencë shtetërore të theksuar në mbrojtje dhe në siguri. Roli i shtetit për bindjet politike tona zhvendoset nga involvimi biznesor e social, në sigurimin e kapaciteteve të mjaftueshme mbrojtëse të forcave të armatosura të Kosovës; në sisteme të sigurisë së brendshme efikase dhe të qëndrueshme; si dhe në rend ligjor të fortë dhe prezent në të gjitha sferat e jetës.
Mbi këto orientime të përgjithshme, pres të zhvillojmë dhe debatin tonë të brendshëm dhe të ndërtojmë platformën e ardhme. Dhe paralelisht me orientimet tona programore e ideologjike, ne duhet të forcojmë dhe organizatën tonë politike.
b) Prandaj, si çështje të dytë, LDK duhet të orientojë funksionimin e vet partiak drejt anëtarësisë; duke siguruar në radhë të parë pjesëmarrjen e të gjitha grupeve; përfshirjen e tyre në procese të hapura e demokratike, si dhe përfaqësimin në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
- Të tri dekadat e kaluara të LDK-së, të ndërlidhura ngushtë me proceset historike të Kosovës dhe shtetit tonë; kanë krijuar një bazë lojale dhe të qëndrueshme të anëtarësisë sonë dhe së këndejmi votuesve tanë. Kjo bazë, megjithatë është e pamjaftueshme për ta kapërcyer LDK-në në pozitën e vet origjinale – të parën; prandaj riorganizimi më i mirë i yni brendshëm dhe ai në mërgatë, ofron infrastrukturën e nevojshme partiake për zgjerim të veprimit tonë.
- LDK do të përgatisë strukturat e veta në të gjitha nivelet e saja për ballafaqim politik të dekadës së katërt të organizimit të vet politik. Në këtë drejtim, ripërtërija e strukturave politike, shtrirja më e mirë gjeografike, dhe hapja e partisë në procese të mëdha reformuese – veçmas aty ku nuk marrim rezultate të mira – është imperativ i kohës së ardhme.
- Në këtë proces tonin të brendshëm, ne duhet të synojmë të ofrojmë rreth vetes sa më shumë intelektualë, profesionistë, ekspertë e figura të dalluara të shoqërisë kosovare, të gjitha profileve; dhe t’iu japim hapësirë të barabartë brenda familjes sonë politike.
- LDK duhet të jetë parti moderne në organizim. Përtej procesit të brendshëm të regjistrimit të anëtarësisë, proces që siguron edhe gjithëpërfshirje edhe demokraci, ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha format e komunikimit dhe bashkëkomunikimit me qytetarët tanë.
Kështu, duke ruajtur vlerat tona tradicionale, duke zgjeruar bazën tonë organizative, duke pasur synim gjithëpërfshirjen, lidhja jonë e ka të sigurt të ardhmen.
Prandaj, në fund fare, të dashur anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke forcuar veten organizativisht, duke e shpërfaqë veten ideologjikisht, duke bashkuar rreth vetes gjithë të djathtën në Kosovë, duke i afruar të gjitha brezat, profesionet, qytetet e fshatrat e Kosovës, ne sigurojmë një LDK të fortë, siç dhe sigurojmë një Kosovë të fortë; ashtu siç e kishim menduar në ditën tonë të parë të themelimit, një Kosovë të pavarur e sovrane, e anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju ftoj të afrohemi, mobilizohemi, ngritemi e punojmë së bashku për ti dhënë qytetarëve tanë këtë Kosovë. Si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shfaq para jush kërkesën për një besëlidhje të re tonën, rreth vetes e drejt tek qytetarët tanë në Kosovë e në Mërgatë. Le të qëndrojmë së bashku, le të punojmë mbarë, le të veprojmë guximshëm e faqebardhë.
Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe aleatët tanë.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.