Dr. Lumir Abdixhiku u lind më 22 prill 1983 në Prishtinë. Shkollimin e mesëm e mbaroi në Gjimnazin “Xhevdet Doda” të Prishtinës. Në vitin 2004 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë periudhës 2005-2006, Abdixhiku qëndroi në Britani të Madhe, ku vazhdoi studimet post-diplomike. Aty, në Universitetin Staffordshire, mori titullin magjistër shkence në fushën e ekonomisë. Në vitin 2009 fitoi bursën universitare nga Universiteti i Staffordshirit për studime të doktoratës. Në vitin 2013, Lumir Abdixhiku mori titullin Doktor Shkence i Ekonomisë.
Gjatë periudhës 2010-2017, Lumir Abdixhiku udhëhoqi me Institutin Riinvest. Si hulumtues ekonomie, ai krijoi raporte ekonomike me interes për Kosovën. Gjatë po të njëjtës kohë, Dr. Abdixhiku mori pjesë në projekte ndërkombëtare jashtë Kosovës.
Ai ka të publikuar disa punime shkencore në revistat prestigjioze ndërkombëtare; me fokus të veçantë në ekonomi, përkatësisht politika fiskale dhe evazion fiskal.
Që nga viti 2007, Dr. Abdixhiku është ligjërues universitar. Ai vazhdon edhe sot të ligjërojë në lëndët e Mikro e Makroekonomisë.
Lumir Abdixhiku u anëtarësua në Lidhjen Demokratike të Kosovës në vitin 2017. Në zgjedhjet e po atij viti, ai ishte një ndër deputetët më të votuar të LDK-së. Të njëjtën mbështetje votuese e konfirmoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019 dhe në këto të fundit, përkatësisht të vitit 2021.
Në mandatin e parë të tij si deputet, Lumir Abdixhikut ju besua detyra e kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Si deputet i LDK-së, Dr. Abdixhiku ishte një ndër deputetët më aktiv të grupit parlamentar.
Në vitin 2019, Dr. Abdixhiku, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në vitin 2020, Dr. Abdixhiku shërbeu si Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Më 14 mars 2021, ai u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Më 19 nëntor 2023, Dr. Lumir Abdixhiku u rizgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.