Kërcënimi i Qeverisë ndaj grevistëve është praktikë tipike autokratike

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot mbajti një konferencë për medie, ku anëtarja e Kryesisë Qendrore, Prof. Jehona Lushaku, shprehu shqetësimin ndaj kërcënimit që Qeveria iu bëri dje grevistëve të sektorit publik, përfshirë edhe atyre të arsimit, duke kërkuar që grevistët në fjalë të pezullohen nga lista e pagave. Fjala e plotë e anëtares së Kryesisë Qendrore të LDK-së, Prof. Jehona Lushaku.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju kemi ftuar sot në këtë konferencë për të shprehur shqetësimin tonë lidhur me qasjen e pa precedent të Qeverisë ndaj Grevistëve të sektorit publik, me theks të veçantë atyre të arsimit.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, dje ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend. Qeveria kërkoi listën e punonjësve të përfshirë në greve, për t’i pezulluar nga lista e pagave, duke fyer rënd integritetin dhe dinjitetin e tyre. Ndër të tjera, duke shkelur kështu një nga të drejtat më bazike të punëtorëve; të drejtën e grevës, e drejtë kjo e cila garantohet me legjislacionin e vendit tonë, si dhe me konventa ndërkombëtare.

Mësimdhënësit e Kosovës kanë hyrë në grevë si rezultat i mos konsideratës  konstante dhe refuzimit kategorik nga ana e Qeverisë. Pra, ata me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog për dinjitet e për përballueshmëri. Ndërsa, Qeveria e Kosovës, në vend se të dialogojë dhe të gjejë një zgjidhje, ajo ka zgjedhur kërcënimin me dënim financiar për mësimdhënësit dhe sektorin publik, në kohën kur krizat në vend po thellohen pikërisht nga mosveprimi i kësaj Qeverie.

Kërkimi i listave të grevistëve nga ana e Qeverisë, për të dënuar ose pezulluar kontratat e tyre është një goditje e ulët dhe pa mbështetje ligjore. Kjo mënyrë, përveç se është presion e frikësim i drejtpërdrejtë, është edhe cenim i demokracisë së vendit tonë; është praktikë tipike e autokratëve për t’i heshtur pakënaqësitë me qeverisjen e tij.

Krejt kjo po ndodh në kohën kur mësimdhënësi dhe nxënësi, si çdo qytetar tjetër, po përballet me krizën e rritjes së çmimeve, rritjen e çmimit të faturës së energjisë elektrike dhe mungesën e saj, si dhe mosrealizimin e investimeve kapitale nga MASHT-i.

Kjo Qeveri, në vend se t’i menaxhoj krizat tjera që prekin arsimin, ajo, edhe arsimin e shndërron në krizë më vete.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që të ndalet menjëherë presioni ndaj mësimdhënësve dhe të gjendet një zgjidhje e drejtë për kërkesat e adresuara. Greva është rezultat i drejtpërdrejtë i premtimeve të Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje, që si edhe shumë premtime tjera nuk mbahen. Punonjësit e arsimit meritojnë trajtim me dinjitet të kërkesave, dialog dhe përkrahje.

Të nderuar qytetarë, të nderuar prindër, ne fuqishëm besojmë që viti shkollor duhet të fillojë me 1 shtator pa presion mbi mësuesit dhe pa ngarkesa shtesë për prindërit dhe nxënësit. Jemi kundër gjuhës konfliktuoze e kërcënuese qeveritare ndaj mësimdhënësve.

Të nderuar prindër, përveç rritjes së çmimeve, mungesës së energjisë, e shumë problemeve tjera, kjo Qeveri po e shton edhe një brengë – ngrohjen e fëmijëve në shkolla. Deri tani MASHTI nuk ka ndërmarrë masa për sigurimin e ngrohjes në shkolla. Me rritjen e çmimeve të lëndëve djegëse dhe mosveprimin e ministrisë, shkollat rrezikojnë me mos mbajtje të procesit mësimor në muajt e ftohtë të dimrit derisa realizimi i buxhetit për investime kapitale i MASHT-it është vetëm 10%. Për më tepër shkollat nuk kanë mundësi të sigurimit të energjisë në rast të reduktimeve të paralajmëruara, madje as buxhet të dedikuar për këtë. Të dy këto situata do ta vështirësojnë procesin e rregullt mësimor në dëm të nxënësve. Mosveprimi dhe vonesat nga MASHTI-t do të shkaktojnë humbje enorme për nxënësit dhe vështirësi për prindërit.

Qeveria edhe me këtë rast po dëshmon se nuk është e aftë për të menaxhuar me vendin; me kërkesat e qytetarëve e krizat e mëdha.


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *