Deputetja Dumoshi: Kurrë nuk u dorëzuam dhe fituam

Fjalimi i deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Vlora Dumoshi në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas së LDK-së.

“I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku,

E nderuara kryetare e Forumit të Gruas, Jehona Lushaku

Të nderuara kryetare të Degëve të Forumit të Gruas,

Të nderuar anëtare dhe veprimtare,

Të nderuar deputete dhe deputet të LDK-së në Kuvendin e Kosovës,

Të nderuar mysafirë,

Si përherë, është kënaqësi e veçantë të jemi bashkë. Të jemi bashkë në familjen tonë të madhe politike. Kjo është shtëpia jonë e madhe. Kjo është LDK-ja. E para dhe më e mira e Republikës. Të tillë e bën paraardhëset, paraardhësit dhe ju gjithashtu.

Gratë e LDK-së ishin të parat në kërkim të barazisë. Gratë e LDK-së ishin të parat në rrugëtimin për liri e pavarësi. Gratë e LDK-së ishin të parat në të gjitha proceset. Ndaj, gratë e LDK-së do të jenë të parat përherë.

Në kohët më të vështira të vendit, atëherë kur ekzistenca jonë rrezikohej, paraardhëset tona, të prira nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova, ishin në krye të rrugëtimit historik për liri, pavarësi e demokraci.

Ishin nënat tona, ishim ne, gratë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të parat që nuk reshtën së kërkuari të drejtat që na mohoheshin dhe të drejtën që i mohohej atdheut tonë.  

Jemi fyer e nënçmuar. Jemi malltretuar e goditur. Jemi trajtuar egërsisht nga okupuesi, mirëpo, ne nuk jemi ndalur asnjëherë. Kemi qëndruar të forta. Dhe sa herë që goditeshim edhe më të forta bëheshim. Sa herë që mendonin se na mposhtnin ne vetëm sa forcoheshim. Kurrë nuk u dorëzuam. Ndaj dhe FITUAM. Bashkë, FITUAM. FITUAM lirinë e pavarësinë. FITUAM Republikën tonë të dashur. 

Sot, kështu si jemi, bashkë, KURRË nuk do të lejojmë askënd që të na shkelë të drejtat apo të na fyej dinjitetin tonë. KURRË.

Nuk ka qenë e lehtë për asnjërën prej nesh që t’i thyejmë pengesat që jeta na i ka sjellë, mirëpo ia kemi dalur. Sepse, KURRË nuk jemi dorëzuar.

Ata që është dashur të na përkrahin e mbrojnë, shpesh herë vetë na kanë tradhtuar. Por ne nuk jemi ndalur. KURRË nuk ndalemi. Sepse KURRË nuk dorëzohemi.

Ne besojmë në dinjitetin tonë.  Vlerat tona nuk janë plaçkë. Ato na takojnë ne që t’i mbrojmë e promovojmë në vazhdimësi.

Secila prej nesh kemi një këngë që kemi nisur dhe e cila ende nuk ka përfunduar. Aty ka nota gëzimi, trishtimi e vetmie, por ajo KURRË nuk do të përfundoj e shtypur, e thyer dhe e mundur. Kënga jonë do të jetë forcë e motiv për gratë tjera që mos ta ndalin KURRË betejën që ne e kemi nisur. Dhe jam e bindur se bashkë do të triumfojmë. Sepse GRATË e LDK-së gjithmonë triumfojnë!

Faleminderit!

Zoti ju bekoftë!”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *