Gjatë konferencës së sotme të LDK-së, Xhafer Tahiri dhe Visar Azemi kanë shprehur shqetësimin për paaftësinë e Qeverisë së Kosovës, konkretisht me rastin e mungesës së pasaportave si dhe aferën milionëshe ku janë të përfshirë Kryeministri Kurti dhe Ambasadori i tij Martin Berishaj. Tekstin e plotë e gjeni më poshtë:
LDK është e shqetësuar me paaftësinë e kësaj qeverie që të ofrojë shërbime bazike për qytetarët e këtij vendi sikurse dokumente të udhëtimit. Janë bërë gati pesë muaj që qytetarët nuk kanë mundësi të nxjerrin pasaporta të reja, edhe në rastet kur u skadon afati i pasaportave aktuale.
Liria e udhëtimit është një e drejtë bazike, nuk është luks. Ne kërkojmë liberalizim të vizave nga Bashkimi Evropian, ndërkohë shteti i udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka aftësi që të pajisë qytetarët me pasaporta. Mungesa e aftësisë për planifikim të duhur ka bërë që të mos ketë materiale për shtypjen e këtij dokumenti të rëndësishëm.
Kjo ka bërë që të ketë pasoja të mëdha për qytetarët tanë. Në baza ditore ka qytetarë që u skadon pasaporta, por nuk mund të pajisen me pasaporta të reja. Qytetarët nuk mund të udhëtojnë as për punë as për pushime me familje, dhe as për ndonjë rast emergjent që kërkon udhëtim të menjëhershëm. Studentët që duan të udhëtojnë për qëllime studimi nuk mund të realizojnë këtë të drejtë sepse nuk kanë pasaportë.
Mungesa e pasaportave i ka dëmtuar edhe mërgimtarët, të cilët po i drejtohen me kërkesa për dokumente të udhëtimit ambasadave e konsullatave të Republikës së Kosovës. Atyre po ju rrezikohet puna e qëndrimi ne vendet ku jetojnë në mungesë të pasaportave.
Për të elaboruar tutje paaftësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Qeverisë, përveç mungesës së pasaportave ka edhe mungesë të realizimit të projekteve kapitale, dhe gjithashtu kjo Qeveri nuk arrin që gati 6 muaj të emërojnë një drejtor të policisë. Pra kemi të bëjmë me një dëshmi për paaftësinë e këtij pushteti për të qeverisur në të mirën e qytetarëve të Kosovës.
Është premtuar shumë nga kjo parti, por as elementet bazike të një shteti nuk janë duke i ofruar. Kërkojmë transparencë dhe sqarim nga Qeveria Kurti për t’ju shpjeguar qytetarëve pse nuk ka materiale për prodhim të pasaportave.
Ju faleminderit!
***
Milionat e dyshimtë që u përdorën për fushatë në Kosovë?
Shprehim shqetësimin tonë për raportimin e mediave Sllovene për afera milionëshe ku janë të përfshirë Kryeministri Kurti dhe Ambasadori i tij Martin Berishaj.
Gazeta Sllovene ka botuar një hulumtim të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt me kompaninë sllovene GEN-I. Sipas gazetës dyshohet se ambasadori Berisha është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt që mban emrin “MB Consulting”. Madje, aty theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr 600 mijë euro para të thata (cash) në vitet 2019 dhe 2020.
Në këtë hulumtim përmendet edhe kryeministri i Kosovës Kurti, mbi të cilin hidhen dyshime se është financuar nga paratë e filialit të GEN-It në Tiranë, ku janë transferuar 14 milionë euro. Gazeta sllovene shkruan se dyshohet që paratë e GEN-It në Tiranë janë përdorur për të financuar fushatën e Kurtit.
Titulli i artikullit është Ndiqni paratë: Si GEN-I i Sllovenisë pagoi Martin Berishaj. Ku shkuan 100 milionë euro.
Gazeta raporton se nga këto 100 milionë euro, 60 milionë janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa miliona të tjera në filialin e GEN-It në Beograd e Tiranë.
Ndërlidhja me Kryeministrin Kurti është pjesa më shqetësuese që besojmë që duhet të adresohet menjëherë. Prandaj kërkojmë që këto dyshime shqetësuese të adresohen nga Qeveria Kurti. A janë të vërteta deklarimet e hulumtimit nga gazeta Sllovene?
Ju faleminderit!