Azemi: Skema në krye me Nagip Krasniqin e Martin Berishajn është kriminale

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, për të ngritur shqetësimet e saj rreth aktakuzës së ish drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Më poshtë gjeni fjalën e anëtarit të Kryesisë Visar Azemi, gjatë konferencës:

‘’Të nderuara media, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës këtë javë ngriti aktakuzë ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua më 19 prill 2023. Siç e thotë aktakuza, ky njeri nga 15 tetori i vitit 2021 e deri më 19 prill 2023, kur edhe u arrestua, në cilësinë e personit zyrtar, ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Duhet ta themi se vet instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik. Sepse këtë person, aty e solli partia në pushtet, pasi që ai ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe ai erdhi në këtë pozitë nga Bordi i Përkohshëm, të cilin e kishte emëruar Qeveria Kurti.
Derisa kjo ishte e keqja e parë, fatkeqësia tjetër është se edhe pas arrestimit të tij, i madh e i vogël nga partia ne pushtet e nga qeveria, i dolën në mbrojtje duke u përpjekur ta shfajësonin. E mbronin dhe e mbrojnë ani pse e dinin se ky person, dyshohej e akuzohej për negocimin e një tenderi sekret në vlerë prej 3.4 milionë euro.

Krejt kjo kur blloku A5 në Termocentralin Kosova A ishte ndërprerë, e në mënyrë të pakuptimtë shtyhej remonti i këtij blloku. E kjo i kushtonte Kosovës rreth 1 milionë euro në ditë blerje e rrymës jashtë vendit, të cilën e ndërmjetësonte njeriu tjetër i pushtetit, ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe kryemafiozi i energjisë, Martin Berishaj. Me të cilin, siç e dini, raportohej se Nagip Krasniqi takohej fshehurazi. E teksa me Martinin bëheshin pazare andej në dëm të KEK-ut e qytetarëve, pikërisht në KEK, janë negociuar e arritur 113 tender sekret, në vlerë të mbi 100 milionë eurove.

Kjo dyshe famëkeqe, pra kanë qenë në krye të mafisë energjetike. Nagip Krasniqi duke u siguruar që të blihet energi elektrike, madje në kundërshtim me ligjin e duke negociuar tender sekret me dosta të tij e të pushtetit, kurse kryemafiozi Martin Berishaj që shpërblehej me miliona euro nga GEN-i me seli në Beograd të Serbisë, duke ndërmjetësuar. Që të dy njerëz të pushtetit, që të dy shokë të Albin Kurtit që i vendosi aty. E fatkeqësisht, që të dy u morën në mbrojtje edhe nga ky i fundit.

Po flasim për Martin Berishajn, të cilit jo ne, por mediat sllovene ia nxorën të dokumentuara dhjetëra transaksione që kapin vlerën e më shumë se 1 milion e gjysmë euro që u transferuan nga GEN-i i Beogradit në llogaritë e tij bankare.
Martini, sikurse Nagipi, që të dy janë njerëz të pushtetit, që të dy shokë të Albin Kurtit që i vendosi aty. E fatkeqësisht, që të dy u morën në mbrojtje edhe nga ky i fundit.

Dhe ju e dini, që ky pushtet tek një vit pasi Nagip Krasniqi u arrestua, e liroi nga detyra dhe u hapën procedurat për zëvendësimin e tij. Sepse siç duket, një vit kanë pritur të gjejnë ndonjë hallkë brenda drejtësisë për ta kapur dhe ta shpëtojnë atë nga aktakuza, e rrjedhimisht ta kthejnë të njëjtin në krye të KEK-ut.

Kjo skemë që në krye ka Nagip Krasniqin e Martin Berishajn është kriminale. Mbrojtja e tyre nga pushteti, i bën ata autorë e përgjegjës për krejt këtë strukturë, për këtë mafi energjetike.
E kjo merr edhe më shumë kuptim kur dimë që ky pushtet ka kundërshtuar çdo projekt për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë. Zaten edhe për këtë janë fokusuar tek projekti i baterive. Sepse nuk ju intereson gjenerimi i energjisë, por importi i saj dhe ruajtja e kësaj energjie të importuar përmes këtij projekti.

Siç po e shihni, këtu kemi të bëjmë me një mafi energjetike që bashkërendohet me pushtetin. Pra, po flasim për mafiozë që shpinën ua ruan kryeministri Albin Kurti dhe pushtetarët. Megjithatë, njëri nga ta, Nagip Krasniqi ra në greminë dhe presim që ai të jetë veç një vegëz përmes të cilës rrëzohet krejt kjo strukturë mafioze. Krimi në KEK e krimi me energinë duhet të zbardhet.

Ne si LDK do të vazhdojmë të nxjerrim çdo dëshmi, derisa presim që drejtësia të kryej punën e saj pa u ndikuar nga sulmet sistematike të pushtetit. Dhe presim e angazhohemi gjithashtu që bashkë me mafinë energjetike, më 9 shkurt të bie edhe ky pushtet populist e i dëmshëm për vendin.

Ju faleminderit.’’


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *