Besian Mustafa: Dy herë rritet çmimi i energjisë, për 2 vjet qeverisje të Kurtit

Sot, LDK ka mbajtur konferencë për medie, me ç’rast deputeti Besian Mustafa ka folur për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Fjalimin e plotë të deputetit Mustafa e gjeni më poshtë:

“Për herë të dytë në këto dy vite të kësaj Qeverie të gjithë qytetarëve po u rritet çmimi i energjisë elektrike, kësaj radhe edhe për 15,4%.

E tëra kjo në këtë kohë krize kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur deri në 50%, kur tatimi në pronë është rritur për 100%, kur pagat nuk janë rritur as në sektorin publik as në sektorin privat dhe kur kursimet pensionale në TRUST janë zvogëluar për 156 milionë euro. Shtoj kësaj dhe faktin që vitin e kaluar investimet kapitale ishin realizuar për vetëm rreth 60% ndërsa Qeveria mburret që i kanë tepruar qindra miliona euro dhe krijohet një pamje e qartë e dështimeve ekonomike të kësaj Qeverie dhe të shtrydhjes financiare të familjeve kosovare.

Për të përkeqësuar edhe më tej gjendjen në sektorin e energjisë, kjo Qeveri për dy vite nuk ka investuar asnjë cent të vetëm në krijimin e kapaciteteve të reja vendore të gjenerimit të energjisë elektrike. Qindra miliona euro të shpenzuara në subvencionim të çmimit të rritur të energjisë nuk e zgjidhin problemin afatgjatë të energjisë. Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjatë e qëndrueshme. Për më keq, procesi i remontit të blloqeve të KEK-ut ishte vonuar shumë gjatë këtyre dy viteve duke ulur ndjeshëm prodhimin vendor dhe duke rritur nevojën për import të energjisë, me çmime tejet të larta.

Qeveria nuk morri parasysh as kërkesën tonë për uljen e TVSh-së në faturat e energjisë në 0% deri në tejkalimin e kësaj krize së cilës nuk po i shihet fundi, si rezultat i mospunës së tyre.

Qeveria duhet urgjentisht të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike në partneritet të plotë me sektorin vendor dhe ndërkombëtar.
Këto investime duhen përqendruar tek burimet e ripërtërishme të energjisë si dhe tek termocentrali me gaz si opsioni më i mirë që garanton tranzicion të qëndrueshëm. Në mungesë të investimeve në kapacitete vendore të energjisë elektrike, kjo Qeveri po dëmton rëndë ekonomitë familjare si dhe prodhuesit vendor duke i bërë konkurrent të dobët me prodhuesit e rajonit dhe më gjerë.

I bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë të fillojë investimet në gjenerimin vendor të energjisë elektrike, veçanërisht nga burimet e ripërtërishme dhe gazit natyror si dhe uljen TVSh-së në faturat e energjisë elektrike në 0% deri në tejkalimin e kësaj krize.

Fatkeqësisht për qytarët, i vetmi vend ku e kanë parë ndryshimin e kësaj Qeverie është në faturat e tyre gjithnjë e më të shtrenjta.”