Deputetja Kica Xhelili: Për gratë drejtësia e vonuar nuk është drejtësi

Fjalimi i deputetes, znj. Doarsa Kica Xhelili gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas së LDK-së.

“I nderuar kryetar Abdixhiku,

E nderuara kryetare e Forumit të Gruas, znj. Lushaku,

Të nderuara kolege deputete,

Te nderuara anëtare, aktiviste, gra, nëna, motra e bashkërrugëtuese tonat,

Sot, jam para jush e për herë të parë në Forumin e Gruas së LDK-së, si një grua e LDK-së. Ditët që shkuan, të tjerët u munduan ta tregojnë të vërtetën time që nuk ka të bëjë fare me mua. Dhe, absolutisht, unë nuk ndjehem e fyer e lëre më e dobësuar, nga kushdo që mendon që biografia e një gruaje në Kosovë mund të tregohet të tjerët, përveç saj. Sikurse nuk do të lejoj që biografia e cilësdo grua në Kosovë të reduktohet në numër nga shoqëria e nga sistemi i drejtësisë.

Sot, ne flasim për fuqizimin e gruas e shpesh, kur mendojmë thellë lidhur me atë që politika duhet ta ofrojë, harrojmë që gjithçka që bëhet për gratë, në të vërtetë, buron nga vetë ato. Nga ajo që gratë tërë jetën e tyre kanë ditur ta bëjnë kaq mirë e kaq fuqishëm: që të mos heqin dorë kurrë. Kështu ka qenë për shumë e shumë gra në vendin tonë. As atëherë, kur duke mos hequr dorë, në dorën tjetër kanë pasur fletën kadastrale të pronës së kaluar me testament te të tjerët; atëherë kur kanë fshehur barkun për të hyrë në intervistë punë; atëherë kur kanë kalkuluar a po u skadon kontrata e punës para se të fillojë lehonia; atëherë kur u është cënuar integriteti trupor e sërish kanë pasur faj për atë se si duken. Atëherë kur u është cënuar gjendja psikologjike e sërish është pritur nga që të të kenë durim, sepse e vetmja gjë që duket se pritet nga gratë është përulja dhe durimi. Dhe, në fakt, ne vërtet kemi durim. Shumë durim. Dhe në këtë vorbull historish e rastesh, jo aksidentalisht ky sistem shoqëror e harron vlerën e pakontestueshme të gruas.

Qëndrueshmërinë. Zërin. Fuqinë.

Andaj, sot, ne jemi këtu që të ofrojmë platformën ku rrugëtimi të mos jetë rrugëtim fjalësh, por veprash e këto vepra të burojnë nga zëri i grave. Sepse energjia e grave është e pashterrshme edhe në një shoqëri që di të jetë edhe brutale. Dhe, e di që duket vështirë të dëgjojmë kaq shumë fjalë, kur s’ka shumë që na u cënua jo vetëm integriteti, por edhe qenia e shpirti, me rastin e 11-vjeçares së përdhunuar. Nuk është risi që grave ua përdhunojnë trupin, ëndrrat e ambiciet.

Po ashtu, nuk është risi që gratë janë ngritur në këmbë. Nuk është risi që grave u ka humbur durimi karshi padrejtësive. Nuk është risi që tanimë ka njerëz që po dëgjojnë. Unë po dëgjoj. Dhe LDK-ja po dëgjon.

Tani që jemi bashkë e duke qenë bashkë, më të fuqishme, duhet të kuptojmë që koha më nuk është miku ynë. Që puna nuk pret. E fjalët nuk kryejnë punë. Ndërsa e ardhmja nuk mund ta presë sistemin e drejtësisë që të këndellet.

Prandaj sistemit të drejtësisë i duhet buxhet shtesë për gjyqtarë shtesë të profilizuar në trajtimin e lëndëve ku gratë janë viktima të dhunës, të përdhunimit apo ngacmimit seksual dhe ku gratë kanë kërkesa në lidhje me pasurinë apo me trashëgiminë. Këta gjyqtarë duhet të merren ekskluzivisht me këto lëndë, derisa lëndët në pritje të kësaj natyre të reduktohen maksimalisht, sepse drejtësia e vonuar nuk është drejtësi.

Duhet buxhet shtesë për policinë e Kosovës, për të krijuar një task-forcë të veçantë, e cila do të trajnohet në këto raste dhe që do ta përbëjnë nga policë të cilët ndërveprojnë ngushtë me prokurorinë dhe institucionet e arsimit e të shëndetësisë. Nuk mund të presim më që vetëm nga viktimat t’i raportojnë këto raste në sistem. Sistemi duhet të punojë për to.

Vetingu është një urgjencë që nevojitet për rikthimin e besimit të sistemi i drejtësisë në Kosovë. Vetingun nuk guxojmë ta kapitalizojmë si projekt elektoral. Nuk mund ta përvetësojmë si parti. Vetingu nuk ka alternativë, sikurse nuk guxojmë të lejojmë që ai të shndërrohet në një mekanizëm eksperimental.

Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë. E di që shpesh si gra ndjehemi që mbështetja jonë nuk po e bën dallimin. Por në qoftë se edhe për një moment të vetëm, një moment të vetëm, dyshoni që ajo që ne bëjmë bashkë nuk mjafton për të ç’rrënjosur padrejtësinë e pabarazinë karshi të drejtave tona, e keni gabim. Masa e protestës së fundit në Prishtinë e tregon që na ka humbur durimi ndaj padrejtësive e na është ringjallur forca për ta dëshmuar edhe një herë, përfundimisht, se vetëm një gjë në jetë nuk pranojmë ta bëjmë kurrë: Nuk do të dorëzohemi!”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *