Dy vite paaftësi dhe dështim

Gjatë konferencës së sotme, zëdhënsja Sibel Halimi ka shprehur shqetësimin e LDK-së lidhur me paaftësinë dhe dështimin e Qeverisë së Kosovës në të gjitha sferat. Më poshtë gjeni fjalën e plotë të znj. Halimi.

“Në sfidat që po kalojmë, partia në pushtet merret me propagandë në vend së të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Dje ishim dëshmitarë se si pushteti që i ka krejt, iu kthye zanatit të vet, si të vetmin mjet të artikulimit politik. Propaganda e partisë në pushtet vazhdimisht i kthehet të kaluarës për t’i ikë përgjegjësive dhe ta mbulojë paaftësinë qeverisëse.

Mungesën e rezultateve të partisë në pushtet më së miri i përjetojnë qytetarët në përditshmërinë e tyre. Në ekonomi – dështim.  Në shëndetësi – dështim. Në arsim – dështim.

Kur flasim për ekonomi, faktet flasin ndryshe. Përgjatë dy viteve ka pasur vetëm stagnim. Ekonomia është ngulfatur—vetëm 9% e buxhetit për investime kapitale është shfrytëzuar: Kjo i bie qe janë 700 milionë euro më pak në qarkullim, vlera e të cilave po humbet çdo dite. Inflacion për mbi 20%, ndër më të lartit në Evropë, si rezultat i mosveprimit të qeverisë. Sot, produktet ushqimore janë dyfish më shtrenjtë se një vit më parë. Ndërsa, propozimet e LDK-së kundër inflacionit, janë hedhur poshtë të gjitha. Gjatë qeverisjes së tyre kemi përjetuar zhvillimin ekonomik më të ulët në një dekadë me deficit tregtar rekord në plot 5 miliardë.

Ndërsa, e vetmja rritje janë importet nga Serbia. Është rritja rekorde prej 370 milionë euro. Skandali tjetër që ndërlidhet me Serbinë janë 600 mijë euro transfere nga GEN-i i Serbisë, para të cilat nuk dimë ku kanë shkuar dhe kënd e kanë financuar. Skandal ky ku përfshihen ambasadorë të pushtetit.

Kur flasim për veriun janë 83 milionë euro pagesë për rrymën e shpenzuar atje. Në veri, gjithashtu ka amnisti për barrikaduesit e sulmuesit e policisë, sikurse edhe mos mbajtje të zgjedhjeve në veri. Lirim në arrest shtëpiak për persona të akuzuar për terrorizëm.

Kur flasim për shëndetësi, s’ka as penjë nëpër spitale. Ka dorëheqje të ministrave për të garuar në zgjedhje e ndërrim ministrash, e rikthim të tyre kur iu konvenon. Mjekët, infermierët, anesteziologët, dhe i gjithë stafi shëndetësor po largohet drejt Evropës dhe drejt sektorit privat në vend siç bëri edhe vet Ministri. Për ta nuk ka as rritje pagash, as përmirësim kushtesh. ShSKUK-së i teprojnë 1.3 milionë euro të ndara për blerje të barnave, ndërkohë që s’ka barna për të sëmurit me kancer.

Kur jemi tek faktet, regres e stagnim kemi edhe në politikën e jashtme. Nuk ka ndodhur asnjë njohje gjatë dy viteve të qeverisjes së partisë në pushtet, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ka pasur veç skandale të llojit Martin Berishaj, huqje të panumërta në Tëitter; dhe së fundmi, letra komike e Ministrit Sveçla dërguar Gjermanisë për të kërkuar lëvizje me pasaporta të skaduara për qytetarët e Kosovës.

Në arsim, veç për reforma nuk mund të flitet. Megjithëse në program kanë premtuar digjitalizim të shkollave, i vetmi “inovacion” ka qenë kyçja e shkollave në rrjet të internetit. Nga 160 çerdhe të premtuara për t’u ndërtuar brenda mandatit, vetëm 3 kanë nisur të ndërtohen, ndërkohë që jemi në gjysmë të mandatit. Mungojnë bursat, fondet për hulumtime shkencore, mungon gjithçka.

Lista e dështimeve është shume e gjatë. Kur flasim për policinë, s’ka drejtor me muaj të tërë. Kur flasim për energji, ka 72 mijë euro humbje energjie çdo ditë; Kur flasim për drejtësinë, kemi vjedhje provash në Institutin e Mjekësisë Ligjore; Kur flasim për nepotizëm, këto dy vite ka pasur punësime masive të familjarëve të ministrave dhe deputetëve të pushtetit, duke kulmuar me superskandalin e punësimeve në KEK. Kushërinjtë, me sa duket, nuk ishin vetëm për dasma. Ishin edhe për borde, për ndërmarrje publike, e për pozita të tjera shtetërore.

Nuk ka as rrugë të reja, as shkolla, çerdhe, fabrika e investime. As pasaporta nuk ka! Ka vetëm fjalë. Ka vetëm filma!”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *