Historiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore te ne, u pajtua, gati spontanisht, që të themelonte një parti politike, e cila do t’i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit, që ishin në nismë në vendet e bllokut të atëhershëm socialist. Ky grup intelektualesh e caktuan kryesinë e LDK-së me kryetar Dr. Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Dr. Fehmi Agani, dr.Bujar Bukoshi, dr.Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe. Kjo lëvizje shqiptare, me program kombëtar e demokratik, duke e bërë program fundamental politik Lirinë, Pavarësinë e Demokracinë e Kosovës, fitoi përkrahjen dhe mbështetjen e popullit të Kosovës. Në kohën e represionit më të egër serb e jugosllav kundër popullit të Kosovës,

LDK-ja organizoi rezistencën politike e qytetare, organizoi jetën sociale, politike e publike, duke promovuar lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes, tolerancën e humanitetin, duke promovuar vlerat autentike e universale. LDK-ja, që nga fillimi u shfaq si forcë politike institucionale, duke punuar me mund e sakrifica për ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si bazë fundamentale e shtetit, në mënyrë që të mos rrëshqitet në anarki, arbitraritet e diktaturë.

Promovimi i votës së lirë dhe përgjegjësia e të zgjedhurit përbëjnë karakteristikën e LDK-së, standard që nuk guxon të shkilet në asnjë situatë. Menjëherë me tu kthyer pas luftes së fundit në Kosovë LDK me kryetar dr.Ibrahim Rugovën fitoj zgjedhjet bindshëm, duke ju bashkuar LDK-së edhe shumë anëtarë të tjerë dhe duke fituar kështu miqësi me ndërkombetarë.

Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për demokraci, e cila do të sigurojë barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, gjinore apo fetare. Për shtet të mirëfilltë juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjet demokratike të miratuara me procedurë demokratike, që përjashtojnë arbitraritetin politik e partiak të pushtetmbajtësve. Lidhja Demokratike e Kosovës përqafon pluralizmin politik që shpreh struktura dhe interesa të ndryshme, që mundëson garën e koncepcioneve dhe të opcioneve të ndryshme politike përmes sistemit parlamentar dhe shumpë partiak; angazhohet për mbrojtjen e plotë dhe për zgjerimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e organizimit politik. LDK-ja lufton kundër çdo forme të urrejtjes, të dhunës e jotolerancës kombëtare e fetare, kundër çdo forme të diskriminimit dhe gjenocidit, kundër çdo tentative të ndryshimit të dhunshëm të strukturave ekzistuese etnike. Angazhohet kundër çdo monopoli politik dhe ekskluziviteti ideologjik, për lirinë e ndërgjegjës dhe të bindjeve politike, angazhohet për pavarësi të gjyqësorit.

LDK-ja përshëndet dhe përkrahë proceset integruese në Evropën e sotme.

Aktualisht LDK për lider të saj ka Dr. Lumir Abdixhikun.
Lista e Anëtarëve të Kryesisë së LDK-së, 2021
Ne do të punojmë për një shtet që edukon fëmijët tanë, kujdeset për pleqtë tanë dhe siguron një komunitet të sigurt, të shëndetshëm dhe të prosperuar për të gjithë ne.

Kryetarët

Ibrahim Rugova

23 Dhjetor 1989 –
21 Janar 2006

Fatmir Sejdiu

9 Dhjetor 2006 –
7 Nëntor 2010

Isa Mustafa

7 Nëntor 2010 –
14 Mars 2021

Lumir Abdixhiku

14 Mars 2021 –