Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie, me ç’rast, anëtari i kryesisë, Xhafer Tahiri ka folur për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2022, duke thënë se ky raport e konfirmon që në Kosovë nuk ka pasur progres.
“Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2022, e konfirmon atë që e kemi thënë, se në Kosovë nuk ka progres në fushat kyçe të vlerësimit për procesin integrimit evropian të Kosovës; pra nuk ka zhvillim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, shëndetësisë, në drejtësi e në siguri.
Në asnjë fushë të vlerësimit për Kosovën, për fat të keq, Komisioni Evropian nuk konstaton se ka progres të mirë apo edhe progres shumë të mirë.
Dështimi në shëndetësi: Raporti konfirmon situatën e rëndë e të padurueshme për qytetarët në sektorin e shëndetësisë.
Raporti konstaton, natyrisht në formë kritike se buxheti i shëndetësisë për vitin 2022 u zvogëlua me 14.6%.
Dështimi në reformën legjislative- Raporti konfirmon dështimin në reformën legjislative sepse Qeveria edhe pse e ka shumicën në Kuvend, ajo dështon për të bërë kuorum. Pra puna e Kuvendit të Kosovës po ndikohet nga një atmosferë politike e polarizuar dhe e përçarjes e shkaktuar nga vet shumica.
Raporti i Komisionit Evropian edhe një herë ri-konfirmoi qasjen pozitive të LDK-së, ku cekë se opozita ka mbështetur legjislacionin kyç lidhur me integrimet evropiane duke i mbështetur me votë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.
Në fusha tepër të rëndësishme si drejtësia, lufta kundër krimit e korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria me tregun evropian, raporti i Komisionit Evropian nuk konstaton progres, por vlerëson se Kosova është në fazë të hershme të arritjes. 32 herë raporti thotë se në sektorë të ndryshëm Kosova është në “fazë të hershme”. Në vitin 2021, këtë e ka thënë 36 herë, kurse në 2020, 30 herë. Pra në përgjithësi, më shumë herë thuhet se situata është në ‘fazë të hershme’ tani se para dy viteve.
Raporti i Komisionit Evropian vërteton faktin që të gjithë po e përjetojmë, ndaj dhe shpejtësia e ndryshimit për të cilin ka nevojë vendi dhe që qytetarët e kërkojnë, nuk është e duhura. Vendi ynë meriton ndryshim më të shpejtë, ndërsa qytetarët tanë meritojnë më mirë se kjo qeverisje.
Në Raportin Progresit të vitit 2022 të Komisionit Evropian, 26 herë përsëritet fjala: “nuk ka progres”
- nuk ka progres në reformën në Administratën Publike, pra nuk ka as progres për adresim të pabarazisë së pagave në sektorin publik;
- nuk ka progres, pra asnjë përparim nuk është bërë në reformat legjislative të nevojshme për të riorganizuar financimin dhe kompetencat ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal;
- asnjë përparim nuk është regjistruar në krijimin e një Fondi të Konfiskimit të Pasurisë së Paligjshme, i cili do t’i alokonte fondet e konfiskuara nga aktivitetet kriminale pjesërisht në ligjzbatim, si: Prokuroria dhe gjykatat, e pjesërisht për projektet sociale në të mirë të shoqërisë;
- nuk ka asnjë përparim në trajtimin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta;
- nuk ka pasur asnjë përparim në integrimin e Kosovës në Zonën Evropiane të Kërkimit, pra nuk ka përparim në shkencë e inovacion;
- nuk ka përparim në zbatimin e Planit të Veprimit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit;
- sa i përket organizimit të tregut të përbashkët (CMO), nuk u arrit asnjë përparim. E parashikuar tashmë për 2020, ligji për Organizimin e Tregut të Përbashkët si dhe zbatimi i legjislacionit përkatës është shtyrë për në vitin 2022.
- nuk ka pasur asnjë përparim në konsolidimin dhe mbrojtjen e tokës së punueshme bujqësore. Qeveria e Kosovës ende nuk e ka krijuar një plan veprimi të qartë dhe një grup pune, që përfshinë Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe autoritetet lokale, për të trajtuar humbjen dhe degradimin e vazhdueshëm të tokës bujqësore;
- Nuk ka asnjë progres për sa i përket sigurisë së ushqimit; sepse nuk janë licencuar ende laboratorët përkatës;
Raporti gjithashtu thotë se fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve janë shqetësuese. Dhe LDK vlerëson se është pikërisht gjuha polarizuese e përçarëse e partisë në pushtet që e ka shkaktuar këtë problem me gazetarët dhe mediet.
Për njoftim të gjithë publikut kosovar, Raporti i Komisionit Evropian përdor një format të njëjtë çdo vit. Dhe përdor pesë shkallë për të përshkruar gjendjen në një fushë, 4 nga këto 5 shkallë i përmendëm më lartë e të cilat cilësime janë përdorur për fushat e vlerësimit në Kosovë.
Ky raport shkruhet nga ekspertë teknikë dhe jo nga politikanë.
Raportet ndërkombëtare, sikurse Raporti i Komisioni Evropian bazohet në të dhëna dhe jo në propagandë. Dhe këto të dhëna nga të prezantuara në këtë raport nga ekspertë të Komisionit Evropian e zhveshin Qeverinë aktuale nga propaganda duke e ekspozuar mos punën dhe paaftësinë e saj. Po e mbyll këtë konferencë me konstatimin se Qeveria e propagandës është qeveri e paaftësisë.
Sa i përket çështjes së vizave, me keqardhje si gjithë qytetarët e Kosovës po shohim ngecjen në procesin e liberalizimit të vizave. Kosova i ka përmbushur kushtet teknike për këtë proces që në vitin 2018. Është e padrejtë që vetëm qytetarët e Kosovës nuk po mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Në anën tjetër më shqetëson fakti nëse Qeveria e Kosovës nuk ka pasur informacion mbi kërkesat e reja të shteteve anëtare të BE-së, qoftë edhe teknike para datës 13 Tetor, sepse kërkesat e tilla nuk dalin aty për aty. Kjo lë të kuptohet që Qeveria jonë nuk ka zhvilluar mjaftueshëm dialog me vendet anëtare veç e veç, por po ashtu vërteton faktin se Politika e Jashtme e Kosovës është pa strategji.
Grupi punues sipas informacioneve ka caktuar afatin 9 Nëntor, deri atëherë Qeveria e Kosovës duhet me i marr obligimet e saj duke garantuar që mundet me i përmbushë ato. Qeveria duhet ta shfrytëzoj momentumin që është në BE për shkak të luftës edhe në Ukrainë, dhe mos me ia humb këtë rast Kosovës për liberalizim të vizave.
Në Kosovë sot nuk kemi asnjë parti politike që kundërshton përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave siç ishte rasti në 2016, kur Vetëvendosje ia humbi këtë rast Kosovës.”