Kryetari Abdixhiku në Këshillin e Përgjithshëm të FG: Zotohem se çdo sfidë e juaja është dhe e imja

Fjalimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas së LDK-së.

“Faleminderit, zonja Kryetare!

Zonja të nderuara, kolege, mike dhe bashkëpunëtore,

Të nderuar, përfaqësues të medieve,

E dashur Albinë,

Më lejo të falënderoj këtu për gjithë durimin që e ke që problemet e partisë t’i mbajmë në shtëpi, por siç po e sheh në këtë kauzë jemi të gjithë bashkë, me gra, dhjetëra, qindra e mijëra gra gjithandej Kosovës, që dëshirojnë të ardhmen e fëmijëve tanë ta bëjnë më të mirë në këtë Kosovë.

Të dashura Zonja,

Është nder dhe kënaqësi e veçantë, që jam sonte këtu në mesin tuaj. Organizimet si këto, i japin kuptim të plotë angazhimit tonë politik në të gjitha nivelet tona partiake dhe jo vetëm.

Kam menduar gjatë, shumë gjatë si ta nis këtë fjalim sot; dhe në fakt ky fjalim nuk është fare i lehtë. Nuk është i lehtë sepse vjen në një kohë kur lajmet tronditëse rreth trajtimit të grave e vajzave dhe pasigurisë së tyre në Kosovë, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Dhe në gjithë këtë zakonshmëri të tyre, ato po kapërcejnë me fjalime përplot, aty këtu edhe ndonjë protestë, por në fund me kthim në normalitet deri në shfaqjen e rastit tjetër.

Ky nuk duhet të jetë qëllimi ynë si parti; e kjo nuk duhet të jetë dhe pritja jonë si shoqëri. Si parti nuk mund të presim që ngjarjet të ndodhin e ne më pas të reagojmë. Si shoqëri nuk guxojmë të futemi në ciklin e dënimit, protestës e heshtjes – për tu rikthyer sërish nga fillimi.

Si prind fillimisht, por dhe si politikan që kërkon ndryshim në këtë sferë, si parti e Lidhje që ka nisur gjithnjë ndryshimet e mëdha në vend, them le të nisim angazhimin tonë konkret në ndryshimin e ligjeve, propozimin e rezolutave, e ofrimin e programeve që bëjnë këtë ndryshim. Sot në fjalimet paraprake, dëgjuam nisma, ide e propozime konkrete. Në diskutimet tona të forumeve të brendshme, temat e tilla trajtohen deri në detajet e fundit ideore. Në grupet tona punuese programore, ne i shtrojmë alternativat tona udhëheqëse.

Prandaj më lejoni të ju ftoj, që këto ide, propozime, e bindje që i kemi; që i diskutojmë e shtjerrim përbrenda, t’i shndërrojmë në politika konkrete që ushqejnë vizionin tonë të përbashkët për gruan dhe vajzën në shoqërinë kosovare.

Ky vizion nuk i sheh vajzat dhe gratë të pasigurta në rrugë; të pabarabarta në punë; të nënpërfaqësuara në parti; e të diskriminuara në familje. Në këtë vizion vajzat dhe gratë e shoqërisë sonë duhet të jenë të barabarta në çdo sferë të jetës. Dhe kur them barabartë, mendoj për barazi pesëdhjetë me pesëdhjetë – siç dhe jemi vërtetë.

Një vajzë mund të zgjedhë cilindo profesion që do; një grua ndërmarrëse duhet t’i ketë të gjitha parakushtet që e trajtojnë atë barabartë më konkurrentët burra; një politikane grua duhet të ketë secilën hapësirë vepruese në parti e në shtet; e një pjesëtare familje secilën të drejtë të mundshme.

Nëse kemi probleme me siguri, le të fokusohemi andej. Le të bëjmë trupa të veçanta në gjithë sistemin e drejtësisë e sigurisë. Nëse kemi pabarazi në punësim, të krijojmë politika stimuluese që thyejnë këtë pabarazi. Nëse kemi probleme shoqërore e kulturore, le të shkojmë si shtet e si politikë në çdo qytet, fshat e lagje të Kosovës. Për Kosovën, është mision patriotik arritja e kësaj barazie. Për ne si parti, është detyrim ideologjik. Si individ, angazhimi për barazi gjinore është ndjenjë njerëzore.

Prandaj, të nderuara zonja, të ju them llogarisni në mua e LDK-në, i bie sikurse po ndahemi në ne dhe ju. Dhe kjo ndarje nuk ekziston. Por më lejoni të them që ju jeni vet LDK. Le ta shtrijmë këtë bindje tonën përtej fjalëve fillimisht në politika konkrete partiake, e më pas në mekanizma të vërtetë shtetëror.

Por temat gjinore nuk janë brenga e vetme me të cilën gratë dhe vajzat e politikës duhet të merren sot. Vendi ynë po kapërcen në kriza të njëpasnjëshme ku zëri ynë politik duhet të jetë edhe më i fuqishëm se sa që është sot.

Këto probleme rëndojnë në vazhdimësi jetën tonë të përditshme, siç dhe rëndojnë në vazhdimësi të ardhmen e fëmijëve tanë, familjeve tona, e gjithë shoqërisë sonë. Sot derisa flasim këtu, mbi 318 mijë fëmijë nuk po vijojnë mësimin shkollor tash e 3 javë. Pothuajse secila familje kosovare e ka të pamundur të organizoj funksionin e vet të përditshëm për shkak të gjendjes së krijuar sot nëpër shkollat tona. Mbi 25 mijë mësimdhënës në anën tjetër janë nën kërcënim të sanksionimit financiar për shkak se me ta s’ka kush të dialogoj.

Familjet kosovare po përjetojnë shtrenjtimin më të rëndë të çmimeve në hisotrinë moderne të Kosovës. Përballueshmëria e jetesës merr goditje të njëpasnjëshme pothuajse secilën ditë. Në pak më shumë se një vit e gjysmë, secili nga qytetarët tanë ka humbur një të pestën e fuqisë blerëse të tyre. Dhe përderisa mbesim në mëshirë të skemave sociale që jepen në panik, një mendje kemi sot për përballueshmërinë, tjetrën për dimrin e vështirë energjetik.

Dhe në gjithë këtë mes, mbi 60 mijë punëtorë kanë lëshuar Kosovën në vetëm gjashtë muaj kohë. Po i humbasim nga 10 mijë punëtorë për çdo muaj si vend. Po humbasim profesione të të gjitha niveleve, po humbasim dhe mjek. Shihni sot shkollat, spitalet, ndërmarrjet e zymtësinë e diskursit publik për të kuptuar rëndesën e vërtetë që çdo burrë e grua, i ri e i moshuar, e përjeton në Kosovë. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar e po e mendojmë të gjithë. Dikush duhet të flasë për secilin që barra e jetesës po i jep rëndesën secilën ditë.

Gruaja politike e LDK-së, duhet të angazhohet për të gjitha temat si këto. Ato janë brenga tuajat, janë brengat e fqinjëve tanë, janë brengat e secilit qytetar. Ata presin nga ne të japim zgjidhje, të ndërtojmë kauza, të marrim besim. Angazhimi për ta nuk është zgjidhje, në gjendjen e tanishme që jemi, angazhimi për ta është obligim.

Prandaj, më lejoni të ju shtroj ftesën, që të më bashkëngjitni në ciklin e ri diskutues që do ta kemi nëpër gjithë Kosovën. Nga tetori e tutje, do të vizitojmë çdo qytet e çdo fshat, të flasim me njerëzit tanë, t’i dëgjojmë hallet dhe brengat e tyre, e t’u japim të njëjtëve zgjidhje. Të ndërtojmë një platformë qeverisëse, që sot në opozitë dëgjon, nesër në qeverisje ekzekuton ndryshimin e madh dhe të vërtetë që Kosova ka nevojë.

Në këtë rrugëtim, LDK ka për detyrim të shkojë përtej vetes. Të afrojë sa më shumë rreth vetes, duke ruajtur boshtin e vet ideologjik e programor. Të ruaj dhe origjinalitetin e vet veprues. Në vend të fyerjeve e thashethemeve që mund të na jepen nga të tjerët, të bëjmë punën tanë siç jemi prej së vërteti. Të flasim me njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi, në atë përditshmëri të tyre që nuk njeh gjuhë tjetër përveç se mbijetesës. Të flasim me vajzat dhe gratë e vendit, që pasiguria fizike u kufizon liritë në secilën ecje të tyre. Të flasim me familjet tona, që të ushqejmë progresiven, e le të shtyjmë kauza që vërtetë ndryshojnë vendin tonë.

Në vend të zymtësisë depresive që të tjerët krijojnë, të japim shpresën e njëmendtë që vendi ynë e meriton. Duke ju njohur nga afër, duke ju njohur mirë, përveç se jam i bindur se ndryshimin mund ta bëjmë bashkërisht, jam dhe krenar që jemi në rrugëtimin e njëjtë politik me ju.

Prandaj, të nderuara zonja, duke ju uruar punime të mbara në këtë takim të Këshillit të Përgjithshëm, duke u zotuar që çdo sfidë e juaja është dhe e imja, më lejoni që këtë fjalim timin ta përfundojë me fjalët e një ndër politikaneve më inspiruese të shekullit të shkuar, zonjës së hekurt, Margareth Thatcher, me shpresë shumë që kolegët e tjerë të pakët në këtë dhomë nuk do të hidhërohen me mua, por – “në politikë, nëse doni vetëm fjalë, i thuani një burri; nëse doni punë, i thuani një gruaje”.

Prandaj, le t’ia nisim punës!

Ju faleminderit.”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *