Kryetarja e FG Lushaku: Bashkë do të fitojmë, bashkë dhe vetëm bashkë do t’ia dalim

Fjalimi i kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së, Dr. Jehona Lushaku Sadriu, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas së LDK-së.

“I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, 

E nderuara ish-kryetare e Forumit të Gruas, Lirie Kajtazi, 

Të nderuara kryetare të Degëve të Forumit të Gruas, 

Të nderuar anëtare dhe veprimtare,

Të nderuar deputete dhe deputet të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, 

Të nderuar mysafirë,

Është kënaqësi që të hapë mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas, në cilësinë e kryetares së këtij institucioni tepër të vlefshëm.

Jemi mbledhur këtu sot, për të zgjedhur e konsoliduar strukturën e Forumit të Gruas, të Lidhjes Demokratike të Kosovës; për të përmbyllur një proces zgjedhor që ka siguruar përfaqësim demokratik me shumë gra dhe vajza të reja nga të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës.  Një energji e re me fuqi përfaqësimi për të luftuar për të drejtat dhe kauzat e grave, në një rrugë të trasuar nga gratë e Forumit për dekada me radhë. 

Të dashura bashkëpartiake, 

Disa mëngjese radhazi kemi që jemi shtangur nga raportimet e rasteve të dhunës ndaj grave; vajzave të mitura; rastet e dhunës në familje e cenimit  elementar të drejtave të grave në vendin tonë. Krizat ekonomike në të cilat po kalon vendi jonë e vështirëson edhe më shumë këtë situatë: inflacioni ka arritur shifra rekorde dhe kriza energjetike ka filluar qysh në stinën e verës. 

Pasiguria e presioni që shumë gra po përjetojnë përgjatë kësaj kohe është alarmante; ato po përballën me ndërprerje të kontratave të punës; e veprimtaria e tyre po kufizohen vetëm në sferën private. Por dhuna e pranishme së fundi është përtej dhunës ekonomike, është edhe dhunë fizike mentale e seksuale në mënyrë sistematike. E gjithë kjo situatë rëndon padrejtësisht shumë më shumë mbi gratë duke shkaktuar makth për jetën e tyre.  

Të dhënat mbi dhunën në familje janë në rritje, janë  shqetësuese dhe shpërfaqin realitetin tonë shtetëror dhe shoqëror se si përgjigjemi ne ndaj krizave të tilla.  

Rastet e fundit të dhunës seksuale, përveç që janë shokuese janë edhe këmbanë alarmi për të gjithë ne. Mobilizimi i përbashkët është i domosdoshëm që me seriozitet maksimal, pa dallim, të shtrijmë aktivitetin tonë pikërisht në parandalimin e këtyre rasteve: duke e nisur nga familja, shkolla, në rrethe shoqërore e deri në parti.

Por, përgjegjësia bie mbi shtetin -Qeveria ka monopolin e pushtetit të ndërhyrjes për të ndikuar në parandalimin dhe prioritizimin e trajtimit të këtyre rasteve. Përkundrazi, kjo Qeveri e paaftë është ulur në tribuna dhe po e përcjell gjithë këtë katrahurë si një spektatore pasive.  

Nuk mjaftojnë disa shkarkime e deklarata të zbrazëta që për qëllim kanë vetëm delegimin e fajit te tjetri. Në asnjë mënyre nuk duhet të lejojmë që pasiguria e grave dhe vajzave të shndërrohet në një normalitet. Shteti nuk duhet të braktisë vajzat dhe gratë, shteti duhet t’i mbrojë ato. Kemi nevojë për një shtet të përgjegjshëm me masa serioze. 

Derisa dhuna është rritur në nivele shqetësuese edhe  reagimi jonë duhet të jetë urgjence kombëtare.

Si e tillë na takon të gjithëve të mobilizohemi qysh nga bankat shkollore t’i  edukojmë djemtë e vajzat tona mbi integritetin trupor e etikën e sjelljes, përmes kurikulave të reja që qëllim kanë parandalimin e këtyre rasteve. 

Ta bëjmë të qartë, se sjellja dhe vendimet e organeve të rendit dhe ligjit përcaktojnë mënyrën dhe besimin që qytetarët kanë ndaj këtyre fenomeneve. Mos-ndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, kontribuon plotësisht në kulturën e heshtjes! Gjithsesi na duhet një reagim i fuqishëm shtetëror që ngacmuesit e dhunuesit të raportohen e dënohen në mënyrën e merituar. 

Andaj, nga sot, LDK shpall të hapur platformën “GRATË të fuqizuara, SHTET i fuqishëm” me të cilën synon para së gjithash të fuqizojë gratë; të mbledh rreth vetes gra që krijojnë strategji shumëdimensionale ndikimi në të gjitha fushat e institucionet, për të drejtat e grave dhe vajzave tona. Kjo Platformë do të hapë një dritare komunikimi me gratë e vajzat e të gjitha moshave, me të cilat bashkë do ta formësojmë programin tonë dhe politikat tona konkrete për gratë. Ne do të dialogojmë me nënat, mësueset, baballarët, drejtorët e shkollave, do te dialogojmë më të gjitha grupmoshat e profesionistët për krijimin e platformës gjithëpërfshirëse për gratë. 

Le të shërbejë kjo nismë si thirrje për çdo grua që dëshiron të na bashkangjitet; për çdo grua e burrë që dëshiron të kontribuon me mendime e veprime konkrete që gratë të fuqizohen, që vajzat të jenë të sigurta e shteti jonë të jetë vendi që jetohet me dashuri.

Kjo është platforma jonë. Kjo është detyra jonë. Sepse, ne jemi LIDHJA e grave për të gjitha GRATË. Jemi LIDHJA e grave për të ardhmen. 

Me lejoni te them po ashtu se,  nuk do të negociojmë për ato që na takojnë. Të drejtat tona janë të panegociushme. Nuk mund të pyesim se a bën t’i ushtrojmë të drejtat që na takojnë. Dhe nuk të pyesim kurrë. Sepse kurrë nuk mund të pyesim se a duhet të zhvillohet shoqëria dhe shteti. Sepse DUHET, gjithsesi. 

Këtë ditë, le ta shënojmë si një fillim i domosdoshëm. Fillim meritor. Dhe padyshim fillim i mbarë për ne dhe shoqërinë.

Forumi i gruas së LDK-së, qëllimin e themelimit e ka të shenjt e fisnik, këtë e tregon përkushtimi i tyre për ta jetësuar grupimin e parë politik të grave në vendin tone, në kohërat më të errëta për ne. Andaj është detyrë e jona që sot Forumi  Gruas të jetë platformë gjithëpërfshirëse, me qëllimin kryesor që gruaja të trajtohet në mënyrë të dinjitetshme. Forumi do të jetë krahë i djathtë për secilën vajzë dhe grua në rrugëtimin e tyre politik e shoqëror. 

Dera e LDK-së dhe forumit do të jetë e hapur për të gjitha ato që politikën e shohin si mjet, për avancimin shoqëror dhe përmirësimi e kushteve për gratë. 

Ndaj nga sot ftoj të gjitha strukturat, degët e nëndegët e forumit të përfshihen në hartimin e platformës sonë të përbashkët politike ‘Gra të fuqizuara, shtet i fuqishëm.  

Ashtu siç jemi ngritur në këmbë; Bashkë, do të qëndrojmë. 

Bashkë do të fitojmë;  Bashkë dhe vetëm bashkë do t’ia dalim.”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *