LDK i kërkon Qeverisë që menjëherë të gjej zgjidhje për fillimin e vitit shkollor

Lidhja Demokratike e Kosovës, në konferencën e sotme për medie, shprehu shqetësimin për mosfillimin e vitit shkollor, me ç’rast e vlerësoi si pasojë të paaftësisë dhe papërgjegjësisë qeverisëse. Me këtë rast, kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Prof. Jehona Lushaku, tha se Qeveria e Kosovës duhet menjëherë që t’i adresojë kërkesat e grevistëve, t’i ekzekutoj pagat e tyre, ndërsa fëmijët të nisin procesin mësimor që nesër.

“Sot, në vend se nxënësit të takonin mësuesit e tyre dhe të uleshin në bankat shkollore, duke ndërtuar rrëfimet e tyre për ditën e parë të shkollës, fatkeqësisht ata gjetën shkollat e mbyllura si pasojë e papërgjegjësisë dhe paaftësisë së Qeverisë për të bërë zgjidhje”, tha Lushaku.

Ajo, më tej, i bëri thirrje Qeverisë që sa më parë të komunikojë me të gjithë akterët e përfshirë në greva, t’i dëgjoj dhe adresoj kërkesat e tyre si dhe të gjej zgjidhje të menjëhershme për nisje të procesit mësimor.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju kemi ftuar sot që të shprehim shqetësimin tonë lidhur me mos-fillimin e vitit shkollor.

“Sot, në vend se nxënësit të takonin mësuesit e tyre dhe të uleshin në bankat shkollore, duke ndërtuar rrëfimet e tyre për ditën e parë të shkollës, fatkeqësisht ata gjetën shkollat e mbyllura si pasojë e papërgjegjësisë dhe paaftësisë së Qeverisë për të bërë zgjidhje.

Gëzimi i tyre për shkollën qysh në ditën e parë është ndërprerë, ashtu siç po ndërprehet energjia elektrike, ashtu siç është ndërprerë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e prindërve të këtyre fëmijëve, si dhe ashtu siç është ndërprerë shpresa për një ditë normale e të mirë në vendin e tyre.

Sot, në vend se mësimdhënësit të merrnin pagat e tyre dhe të gëzoheshin për këtë fillim vit, ata ballafaqohen dhe me qindra probleme tjera, të cilat po iu shkaktojnë njerëzit që janë kompetent për të gjetur zgjidhje, gjersa të njëjtit po e bëjnë krejt të kundërtën; po ua vështirësojnë jetën.

LDK-ja me shqetësim po e përcjellë gjithë situatën e krijuar nga papërgjegjësia dhe paaftësia e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Dhe ky mos fillim i vitit shkollor po ndodh për disa arsye:

Arsyeja e parë është se Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme të dialogojë, madje as t’i dëgjojë kërkesat e mësimdhënësve. Praktika e dialogimit dhe adresimit të kërkesave të mësimdhënësve është e nënkuptueshme për vende demokratike. Injorimi nga Qeveria ka sjellë situatën ku shkollat janë të mbyllura, prindërit janë të shqetësuar dhe mësimdhënësit janë të pakënaqur.

Për të mos mjaftuar me kaq, Qeveria ka vendosur të mos ekzekutojë pagat për muajin gusht në mënyrë kolektive. Ky veprim është i pa precedent; nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e arsimit të Republikës së Kosovës. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është jodemokratik.

Është shqetësues fakti se si kjo Qeveri me arrogancë po i trajton problemet e kategorive të veçanta shoqërore në kohë krizash ekonomike. Konkretisht, mosdialogimi dhe dënimi i mësimdhënësve prek dinjitetin e tyre, në një kohë kur kriza ekonomike dhe vështirësitë e qytetarëve janë tepër të mëdha. Në vend të mirëkuptimit, Qeveria po e zgjedh moskomunikimin e moskonsideratën ndaj këtyre kërkesave.

Kërkojmë nga Qeveria që, urgjentisht, sot, t’i ftojë për dialog përfaqësuesit e sindikatave që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për fillimin e procesit mësimor, ndërkaq menjëherë të ekzekutoj pagat ndaj grevistëve.

Në vend se sot të diskutonim çështje që lidhen me cilësinë e arsimit, rritjen e rezultateve të nxënësve, rritjen e performancës së mësimdhënësve si dhe për riorganizim të shkollave, ne duhet të diskutojmë për mosfillimin e vitit shkollor.

LDK, i kërkon Qeverisë që sa më parë të komunikojë me të gjithë akterët e përfshirë, të dëgjoj kërkesat e tyre si dhe të gjej zgjidhje.”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *