LDK: Një ministre e drejtësisë e cila i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të DORËZOHET vet, ose të shkarkohet

Gjatë konferencës së sotme të LDK-së, deputetja Doarsa Kica-Xhelili tha se është premtuar ndryshim; pavarësi e gjyqësorit e mbështetje financiare për sistemin e drejtësisë. Është premtuar për ministra pa aktakuza. Fatkeqësisht, realiteti po na dëshmon të kundërtën. Sot, përveç që pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë ulur, po kërkohet dhe punohet për dorëzim të drejtësisë.  Një ministre e drejtësisë e cila i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të dorëzohet vet, ose të shkarkohet. Ajo nuk ka kredibilitet të udhëheq me sektorin e drejtësisë. Nga sot e tutje, dhe çdo ditë që ajo vazhdon ta ketë këtë pozitë, ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbaj emrin e kryeministrit. Fjala e plotë e deputetes është më poshtë:

“Dje, më datë 10 shkurt 2023, Ministrja e Drejtësisë, në seancën gjyqësore në rastin ku ka aktakuzë të ngritur kundër saj, personalisht, i kërkoi prokurorit të dorëzohej.

Dorëzohu, i tha. Nuk është kurrë vonë.

Dhe jo, nuk e tha këtë ndonjë përfaqësuesi i saj. E tha ajo, vet. Nuk tha “Kërkoj drejtësi”. Në vend të shumë mundësive që kishte për të shprehur e përmbyllur qëndrimin e saj nga banka e të akuzuarës, ajo zgjodhi t’i thotë prokurorit: Dorëzohu! Këtë e tha Ministrja e Drejtësisë, pasqyra e asaj që mëton të jetë fytyra e sundimit të ligjit në Kosovë.

Institucioni kyç në vend që krijon politikat e drejtësisë; që ka për obligim ta ruaj pavarësinë maksimale ndaj sistemit të drejtësisë; që synon t’i hartoj e zbatoj politikat e vetingut që ti vetojë pikërisht këta akterë. Nuk ka aspak rëndësi në çfarë cilësie foli, sepse ajo tashmë disa herë në këtë qeveri, ka dëshmuar që nuk ka aftësi ta zhvesh petkun personal, e as atë të akuzuarës, kur hyn në Ministri e Kuvend. Harron që është institucion. Fyen, kërcënon, intimidon – ajo e të tjerë rreth saj.

Të nderuar qytetarë,

Është premtuar ndryshim; pavarësi e gjyqësorit e mbështetje financiare për sistemin e drejtësisë. Është premtuar për ministra pa aktakuza. Fatkeqësisht, realiteti po na dëshmon të kundërtën. Sot, përveç që pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë ulur, po kërkohet dhe punohet për dorëzim të drejtësisë. Një ministre e drejtësisë e cila i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të dorëzohet vet, ose të shkarkohet. Ajo nuk ka kredibilitet të udhëheq me sektorin e drejtësisë. Nga sot e tutje, dhe çdo ditë që ajo vazhdon ta ketë këtë pozitë, ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbaj emrin e kryeministrit.

Kosova ka nevojë për prokurorë që nuk dorëzohen, posaçërisht kur kërcënohen nga njerëz të pushtetit. Qofshin Elez, e qofshin Lumez – Prokurorët kërcënimin nuk e kanë për herë të parë, e frikësohem që nuk do të jetë as hera e fundit. Por është misioni ynë i përbashkët, misioni më fisnik e i guximshëm që duhet t’ia caktojmë vetvetes, që të sigurohemi që të jetë hera e fundit.

E vërtetë, kemi shumë punë për të përmirësuar sistemin e drejtësisë! – është roli ynë si shoqëri, si masë e si politikë, që pareshtur të kërkojmë përgjegjësi e drejtësi nga gjyqtarët e prokurorët. që kurrë të mos ndalemi së ngritur zërin karshi çdo viktime që u bë e tillë, e çdo krimineli që endet rrugëve sepse drejtësia dështoj, por kurrë, asnjëherë, nuk duhet të lejojmë që pushteti ta ketë lirinë e kërcënimit, sepse pikërisht në emër të drejtësisë, pushtetet kanë abuzuar me të. Pikërisht në emër të drejtësisë, sot drejtësinë e kemi të tillë. Asnjë shtet demokratik nuk do ta lejonte një individ kaq përçarës e të paaftë ta degradojë emrin e drejtësisë. Asnjë.

Duke qenë që thirrjet për shkarkime janë thirrje në vesh të shurdhër, kemi thirrje tjetër:

Për të gjithë akterët në sistemin e drejtësisë: Nuk jeni vetëm!

Për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës! MOS U DORËZONI!”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *