Lidhja Demokratike e Kosovës, në konferencën e sotme për medie, shprehu shqetësimin për pakon e prezantuar nga Qeveria. Më poshtë gjeni deklarimin e plotë të deputetit, Besian Mustafa.
- Qeveria, këtë fundjave paraqiti një pako të re, në panik e sipër, pa ndonjë konsultim. Pako që është jo-efektive dhe diskriminuese.
- Shumica e masave janë të vonshme, nuk janë të planifikuara mirë, dhe do të kenë pak ose fare efekt, njëjtë sikurse masat e kaluara të kësaj qeverie.
- Për LDK-në ky është veprim në panik i Qeverisë, për të ulur pakënaqësinë në rritje, për të blerë paqen sociale, në vend se të jetë një plan i menduar mirë për të zgjidhur krizën.
- Qeveria ka vendosur të injorojë tërësisht të punësuarit në sektorin privat dhe vet sektorin privat, të cilët janë kontributdhënësit më të mëdhenj tatimor dhe vet motori i ekonomisë sonë. Nga të punësuarit në sektorin privat kjo Qeveri vetëm merr, e asgjë nuk jep.
- Asnjë cent, po ashtu, nuk u dhanë as të papunëve. Pra, ata që nuk kanë asnjë të hyrë, Qeveria vendosi t’i injorojë tërësisht!
- Kjo pako qartësisht nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët dhe është diskriminuese. Është diskriminuese për shkak se shkakton pabarazi, duke u ndarë vlerën e njëjtë edhe atyre me 300 euro rrogë edhe atyre me 2.000 euro rrogë! Pra, si roja si drejtori ekzekutiv i PTK-së marrin të njëjtën përkrahje nga kjo Qeveri!
- Është e paqartë se si një Qeveri që pretendon që është qeveri social-demokrate nuk qan kokën për barazi, sidomos kur shpërndajnë para publike.
- Qeveria po tenton të propozojë një ligj për çështjen e investimeve kapitale por ky ligj është duke ardhur shumë vonë. S’kanë mbetur as 3 muaj të plotë deri në përmbylljen e vitit.
- Asnjë investim kapital serioz nuk mund të fillojë e mbarojë për 3 muaj.
- LDK ka propozuar këtë zgjidhe një vit më parë, atëherë kur do kishte ndikim. Tani është shumë vonë dhe deri sa të propozohet dhe miratohet në Kuvend, nuk do të këtë asnjë efekt.
- Për shkak se ky ligj është vonë, si çdo gjë tjetër me këtë Qeveri, do të përfundojmë këtë vit me një përqindje qesharake të shpenzimeve kapitale. Vetëm si rikujtim, në gjysmën e parë të këtij viti nuk u realizuan as 10% të investimeve kapitale.
- Këto projekte kapitale do të injektonin qindra miliona euro në ekonomi, do të mbanin dhjetëra mija vende të punës të hapura dhe do të krijonin asete që gjenerojnë të hyra ekonomike për gjithë shoqërinë kosovare për vite e dekada me radhë.
- Masat e muajit prill i ndërmori Qeveria pa asnjë analizë, pa asnjë plan. Pasi shpenzoi 100 milionë euro në prill nuk bëri asnjë analizë për të kuptuar ndikimin e kësaj mase. E vetmja analizë që pamë ishte vizita e ministrit të financave në mini marketin e lagjes.
- Qeveria është duke përsëritur gabimin dhe për shkak se kjo pako është sjellë në panik, do të kemi prapë masa jo-efektive dhe miliona të shpenzuara kot.
- Qeveria nuk mori parasysh as propozimet e LDK-së për zbutjen e ndikimit tё inflacionit si reduktimi i akcizës dhe i TVSh-së në derivate të cilat do të ishin shumë më efektive se masat e ndërmarra. Qeveria nuk konsultohet me asnjë ekspert tjetër relevant, odat ekonomike apo grupe tjera se si të përmirësohet kjo situatë ekonomike katastrofike.
- E thërrasim Qeverinë që të trajtojë këtë krizë me seriozitet dhe përfundimisht të përqendrohet në masa konkrete që zhbllokojnë potencialin e zhvillimit ekonomik, të përshpejtojnë projektet kapitale dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.