Fjalimi i plotë i anëtarit të kryesisë, Armend Zemaj, në konferencën e sotme të LDK-së:
“Ka katër probleme strukturore në sistemin e shëndetësisë për të cilat dëshirojmë t’ju informojmë se si është duke dështuar Qeveria Kurti.
I. Qeveria Kurti s’ka vizion, s’ka plan dhe s’ka aftësi që të menaxhojë me shëndetësinë.
Një ministër e ka larguar në mesin e pandemisë që të fitojë pushtet. Ministri i parë i dështuar, i cili u largua nga pozita e ministrit që të kandidojë për kryetar të Komunës së Prishtinës në kohën kur ka pasur shifra alarmante të vdekjeve nga Covid-19.
Pastaj, Kurti caktoi një ministër i cili nuk kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë. Si i tillë, shumicën e mandati e ka kaluar nëpër konferenca të ndryshme, sikurse të mos ishte ministër i shëndetësisë.
Dorëheqja edhe e një ministri dhe caktimi i një ekipi për menaxhimin e shëndetësisë tregon se Kryeministri e ka pranuar dështimin e tij në këtë sektor.
Se Qeveria Kurti ka dështuar në menaxhimin e shëndetësisë flasin edhe shifrat e investimeve kapitale në këtë fushë. Vetëm 5% të investimeve kapitale në shëndetësi janë realizuar.
Kjo është një mesatare edhe më e tmerrshme se mesatarja prej 10% e realizimit të investimeve nga të gjitha ministrit. Vetëm 530,702 euro, nga 10,063,000 janë shpenzuar për projekte nga Ministria e Shëndetësisë.
Në këtë ministri, nga 15 projekte kapitale që janë paraparë, kanë filluar vetëm 2, dhe ato janë në fazë iniciuese. Mos të harrojmë që Qeveria Kurti ka zvogëluar buxhetin e shëndetësisë për 14.6%.
Kur jemi tek menaxhimi, gjatë dy viteve të mandatit qeverisës nuk ka pasur asnjë lëvizje në drejtim të krijimit të fondit për sigurime shëndetësore. Njëjtë edhe me Sistemin e Informimit Shëndetësor – SISH.
Kosova ende vazhdon të ketë mungesë të SISH dhe nga Qeveria Kurti nuk ka pasur asnjë intervenim në këtë drejtim duke penguar edhe institucionet tjera për të pasur ndonjë projekt konkret në këtë fushë.
II. Kosova po përballet me largim të profesionistëve shëndetësore për shkak të pagave të ulëta dhe trajtimit të keq të punonjësve që janë shtylla e sistemit shëndetësor.
Vetëm për 9 muaj të vitit 2022 janë larguar 180 mjekë që i bie mesatarisht 20 mjek në muaj. Po ashtu, është rritur numri i mjekëve të cilët e kanë lëshuar sektorin publik dhe kanë kaluar në sektorin privat.
Si shembull, tek mjekimi intensiv, prej vitit 2020, 22 anesteziologë kanë lëshuar punën, ndërsa vetëm ne shtator të këtij viti e kanë lëshuar pesë. Si rezultat i kësaj duhet të kujdestarojnë çdo të gjashtën ditë zyrtarisht e në plot raste edhe çdo tretën.
E për të mbuluar te gjitha nevojat në QKUK nevojiten 120 anesteziologë (bazuar në atë se janë 45 salla operative dhe 4 njësi te mjekimit intensiv).
Fatkeqësisht pothuajse te njëjtën situate te vështirë i kemi edhe klinikat si ajo e pediatrisë, gjinekologjisë, kirurgjisë e te tjera, ku kjo mungesë e specialistëve sjell mbingarkesë tek sistemi shëndetësor, tek specialistët e tjerë, e që shkakton ulje të kualitetit të shërbimeve për pacientë në përgjithësi.
III. Furnizimi me barna dhe material shpenzues është një alarm në vetvete. Mungesa e barnave në listën esenciale tashmë është bërë e zakonshme për pacientët në Kosovë. Kjo i detyron qytetarët tanë që t’i blejnë barnat vetë, duke e stërngarkuar buxhetin e tyre familjar.
Vetëm 50% ka qenë furnizimi me barna nga lista esenciale në shumicën e komunave. Kurse, furnizimi me material shpenzues është në nivelin 70%. Qeveria e ka për obligim që të mbuloj 100% listën esenciale të barnave.
IV. Dhe, e fundit, lista e gjatë e pritjes. Keqmenaxhimi, mungesa e investimeve, mungesa e specialistëve dhe materialeve shpenzuese ka shkaktuar zgjatje të listës së pritjes së pacientëve për të marrë shërbimet e domosdoshme shëndetësore.
-Lista e pritjes për koronarografi shkon deri në 1700 pacientë. Tani janë duke u ftuar pacientët e muajit shtator 2021.
-Lista e stendimeve është diku 250 pacientë. Janë duke u ftuar pacientët e muajit shkurt 2022.
Duke ditur se sëmundjet kardiovaskulare sot janë dy nga shkaktarët kryesor të vdekshmërisë, kjo listë tregon se sa është situata e rënduar.
Nga keqmenaxhimi është ndërprerë puna 24 orëshe e CT-së në Klinikën e Neurologjisë, duke e pamundësuar diagnistfikimin në kohë për pacientët në nevojë.
Për më keq akoma është i ndërprerë STROKE projekti, duke eliminuar kështu mundësinë e vetme emergjente të trajtimit të pacientëve në vend nga infarkti i freskët në tru.
Gjithashtu është rritur pritja për rezonancë magnetike, ku lista e pritjes ka arritur deri në fund të vitit të ardhshëm.
Është e qartë që mungesa e njohurive, mungesa e aftësive për menaxhim është duke shkaktuar probleme serioze për qytetarët. Qytetarët janë duke u privuar nga shërbime të rëndësishme shëndetësore, si dhe investimet e në sektorin shëndetësor mund të thuhet se janë inekzistente.
Duke u përballur me këto fakte, as propaganda e partisë në pushtet nuk mjafton për të shpërqendruar qytetarët nga problemet. Qeveria ka dështuar edhe në sektorin e shëndetësisë.”