Gjatë konferencës së sotme të LDK-së, Kryetarja e Forumit të Gruas Jehona Lushaku ka ngritur çështjet më shqetësuese për gratë: niveli i lartë i dhunës ndaj grave si dhe përqindja e ultë e grave në tregun e punës.
Është për keqardhje se adresimi i dhunës ndaj grave ende nuk po trajtohet me prioritet. E kemi shumë të freskët rastin kur një grua vritet në duar të shtetit dhe alarmi zgjatë vetëm disa ditë. Akoma më keq, asnjë masë nuk është ndërmarrë për të forcuar sigurinë në QKUK pas rastit tragjik.
Statistikat flasin për rritje të rasteve të dhunës ndaj grave në vitet e fundit; nga 1986 gra viktima të dhunës e 2 të vrara në vitin 2021, një gjendje edhe më të rëndë e kemi në vitin 2022 ku kemi 2055 gra viktima të dhunës dhe 3 të vrara.
Kjo bëhet akoma më shqetësuese kur në 65% të rasteve kemi të bëjmë më përsëritje të dhunës.
Kjo është një situatë që kërkon një ndërhyrje imediate të sistemit të drejtësisë, të rendit dhe ligjit si dhe kërkon politika adekuate që e shpallin dhunën në familje si të pa tolerueshme. Si shoqëri kemi përgjegjësi për të avokuar për çështjet që i kontribuojnë kauzës që dhuna përfundimisht të mos jetë pjesë e kulturës sonë.
Pavarësia ekonomike si bazë kryesore për të eliminuar dhunën, po ashtu nuk duket të jetë e nivelit prioritar, pasi që vetëm 16% e grave janë aktive në tregun e punës. E tëra kjo në mungesë të politikave adekuate ekonomike për gratë.
Sot në Kosovë gratë paguhen 20% më pak se burrat për punën e njëjtë që bëjnë, kurse vetëm 4% e grave kanë qenë përfituese të pronës në familje.
Ne konsiderojmë se s’mund të ketë pavarësi e as fuqizim të grave pa rritur numrin e çerdheve, pa ndryshuar politikat e pushimit të lehonisë, pa iu mundësuar përfitimin e pronës që u takon me ligj si dhe pa ofruar pagë të barabartë si për burrat edhe për gratë.
Si LDK do të prezantojmë politika që do të avancojnë pozitën e gruas pikërisht për pavarësimin e saj ekonomik.
Pikërisht në Ditën e Gruas i ngritëm këto çështje, për të bërë thirrje për të gjitha institucionet shtetërore, për Qeverinë posaçërisht që të prezantojë politika më efikase dhe një qasje më serioze që çështja e grave të adresohet në të gjitha nivelet.