Lushaku: Të shkarkohen të gjithë personat përgjegjës bashkëfajtor që nuk kanë ofruar mbrojtjen e viktimës

Më poshtë gjeni fjalimin e kryetares së Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku gjatë konferencës së sotme lidhur me rastin e mbrëmshëm që tronditi vendin tonë.

Ju kemi ftuar për të shprehur indinjatën tonë me ngjarjen makabre ku burri ka vrarë Hamide Magashin, grua shtatëzënë në oborrin e QKUK-së.

Më lejoni së pari të shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së Hamides për humbjen e dhimbshme. Krimet monstruoze si ky, shpërfaqin dështimin e shumë hallkave përgjegjëse të shtetit për të siguruar jetën e Hamides dhe grave tjera në Kosovë, dhe kjo nuk po ndodh për herë të parë.

Hamidja ka kërkuar ndihmën e shtetit dhe shteti ka dështuar që t’i ofrojë atë. Ajo shkoi në spital për të sjellë jetë, kurse në spitalin publik u shua edhe jeta e saj.

Hamidja është viktimë e shumëfishtë e sistemit tonë. Është viktimë për faktin që dhunuesi i saj u la i lirë nga sistemi i drejtësisë. Ëstë viktimë për faktin që urdhërmbojtja që iu caktua nga shteti jo vetëm që rezultoi joefektiv, por ia dëshmoi sa të paaftë jemi që t’i mbrojmë viktimat e dhunës. Është viktimë sepse shteti sot, në mungesë të paisjeve elektronike për t’i përcjellë lëvizjet e dhunuesve, ende i kërkon viktimave që ta njoftojnë policinë, kur sulmuesit e tyre i afrohen 50 metra. Kur tashmë është shumë vonë. Kjo është e pakuptimtë. Është viktimë, përfundimisht, për faktin që iu shua jeta pikërisht në hapësirat e një institucioni publik, ku siguria do të duhej të ishte maksimale.

Të gjitha hallkat e detyruara ta mbronin, dështuan.

Urdhërmbrojtja doli joefektive. Drejtësia u mjaftua me ndalim të afrimit prej 50 metrash te viktima.

Pajisje elektronike për evidentimin e lëvizjes së dhunuesve nuk janë. Institucionet publike, nuk e ofrojnë as sigurinë minimale për qytetarët e këtij vendi. Prandaj është e qartë:

Dështoi Policia e Kosovës, Dështoi sistemi i drejtësisë, Dështoi Ministria e Drejtësisë, dështoi Ministria e Shëndetësisë.

1986 raste të dhunës në baza gjinore janë raportuar vetëm gjatë vitit 2021, merreni me mend sa gruaja nuk e ka guximin as të raportojë në institucione tona të drejtësisë, e merreni me mend sa të tjera do të dekurajohen nga ky dështim sistematik.

Të gjithë duhet të përpiqemi më shumë që këto raste të mos përsëriten. E përpjekjet nuk janë fjalë por veprime konkrete.

Kjo situatë është alarmante. Urgjencë kombëtare.

Si Lidhje Demokratike e Kosovës, urgjentisht kërkojmë që:

1.         Qeveria e Republikës së Kosovës t’i shkarkoj të gjithë personat përgjegjës bashkëfajtor që nuk kanë ofruar mbrojtjen e viktimës;

2.         Qeveria e Republikës së Kosovës të siguroj pajisjet elektronike për monitorimin e personave të ndaluar dhe atyre që kufizohen me urdhërmbrojtje.

3.           Sistemi i Drejtësisë të reflektojë dhe veproj urgjentisht për trajtimin me prioritet të të gjitha lëndëve që trajtojnë dhunën ndaj grave.

Jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton. Jemi të vetëdijshëm që këto janë vetëm hapat fillestarë të këndelljes së zinxhirit që po i dhunon për së dyti viktimat çdo ditë.

Mbesim të përkushtuar që të ofrojmë jo vetëm propozime konkrete për këto raste, por edhe mbështetje institucioneve të Republikës së Kosovës, si parti opozitare, në secilin rast kur ato janë të gatshme të ndërmarrin veprime konkrete në përmirësim të kësaj situate.

Koha për të reaguar ka kaluar. Jemi vonë! Të fillojmë menjëherë!

Ju faleminderit!


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *