Kriza energjetike dhe kriza me rritjen e çmimeve po i varfëron qytetarët e Kosovës. Në këtë krizë të madhe, edhe më e varfër është përgjigjja e Qeverisë së Kosovës me mungesën e masave përkrahëse ndaj qytetarit të Kosovës.
Përderisa qytetarët e Kosovës po përjetojnë gjendjen e rëndë, me norma rekorde të inflacionit, me çmime stratosferike të produkteve bazike të cilat nga muaji në muaj vetëm po shkojnë duke u rritur, pushteti ka zgjedhur ta luaj rolin e spektatorit duke propaganduar rritje të pashembullt ekonomike.
Ishte pranvera e vitit 2021, kur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, paralajmëroi krizën e energjisë elektrike, ndërsa përgjigjja e parë e pushtetit ishte padëgjueshmëria, ndërkaq përgjigjja e dytë ishte se “kur nuk ka krizë nuk kemi se si të merremi me krizë”.
E kur arriti kriza, pushteti insistoi se nuk do të ketë reduktime të energjisë dhe se nuk do të ketë shtrenjtim të faturave energjetike.
Nuk vonoi shumë dhe ndodhi ajo që LDK e paralajmëroi dhe i druhej; përveçse filluan reduktimet, u shtrenjtua edhe fatura e energjisë elektrike.
Sot është paralajmërimi i radhës se Qeveria ende s’ka ndërmarrë asnjë masë apo hap konkret që qytetarëve tanë në dimër të mos u shtohet edhe një barrë në xhepin e tyre.
Qeveria merr vendime boshe, derisa kompanitë e sektorit të energjisë janë zhytur në borxhe ndaj njëra-tjetrës dhe ndaj tregut ndërkombëtar. Qeveria premton 90 milionë euro subvencione për energjinë, gjersa sektori i energjisë po shkon drejt bankrotimit!
Aq e rënduar është gjenda, aq të pakoordinuara janë veprimet e Qeverisë, saqë edhe ZRrE-ja, tanimë e shndërruar në departament të Qeverisë, të enjten shprehu shqetësimin se: mosalokimi i subvencionit të Qeverisë për energjinë elektrike është duke rrezikuar Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E, e po ashtu edhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Një gjë e tillë do të shkatërronte vite e vite pune si dhe përkrahje të partnerëve ndërkombëtar për pavarësinë energjetike të vendit tonë.
LDK, tash e sa kohë ka dhënë propozime konkrete për zbutjen e efekteve të kësaj krize, si:
- Sigurimi në kohë i importit të energjisë elektrike përmes kontratave afatgjata dhe me kosto të përballueshme
- Remonti me kohë i blloqeve të KEK-ut
- Eliminimi i TVSh-së në faturat e energjisë elektrike
- Eliminimi i tarifave diskriminuese
- Masa nxitëse për përdorim të burimeve alternative për ngrohje
- Masa nxitëse dhe financuese për efiçiencë të energjisë
Ndërsa, tani që sezoni i dimrit po afron shpejtë, i kërkojmë Qeverisë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve:
- A do të ketë mjaftueshëm energji elektrike në dimër apo do të ketë reduktime?
- A do të shtrenjtohet më tutje çmimi i energjisë elektrike për qytetarët dhe për prodhuesit vendor, dhe nëse po, sa?
- Me rastin e rritjes së papërballueshmërisë, çka do të bëjë Qeveria për qytetarin?
- Sa familje kosovare rrezikohen të bien ne varfëri nga rritja e çmimit të energjisë dhe produkteve esenciale?