Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021

Kemi ftuar këtë konferencë për medie për të shprehur shqetësimin tonë në lidhje me disa çështje serioze që trajtohen në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 dhe të raporteve të tjera ndërkombëtare.

Ky raport nis me shqetësimet kryesore të cilat si LDK i kemi paraqitur para publikut tash e një kohë të gjatë: kufizime të lirisë së shprehjes dhe të medias, përfshirë edhe dhunë ose kërcënime ndaj gazetarëve, korrupsion serioz e mosndëshkime – e në rastet kur Qeveria ka ndërmarrë veprime për të sanksionuar këtë të fundit, veprimet në masë të madhe kanë qenë të kufizuara dhe jokonsistente.

Liria e shprehjes e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës është cenuar në raport me median dhe gazetarët, duke iu referuar raporteve kredibile sipas së cilave disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe të ndryshme kanë ndërhyrë në veprimtarinë e medias duke frikësuar përfaqësuesit e saj e duke ushtruar presion mbi ta.

Zyrtarë qeveritarë të cilët e kanë për obligim sigurimin e ambientit ku ka liri të shprehjes e medias, kanë ndikuar në kufizimin e kësaj lirie duke kërcënuar verbalisht gazetarët dhe duke kufizuar komunikimin e tyre me ato media të cilat kanë qenë kritike ndaj Qeverisë në raportimet e tyre.

Liria e shprehjes duhet të respektohet e të mbrohet edhe në rastet kur vlerësimet e mediave janë kritike ndaj Qeverisë. Mediat – si degë e katërt e pushtetit kanë rol të jashtëzakonshëm në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe çdo qeveri demokratike e pranon, e respekton dhe nuk e cenon rolin e tillë jetik të medias së lirë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon praktikën e sulmeve ndaj mediave pa marrë parasysh prej nga vijnë.  Mosndëshkimi i sulmeve ndaj mediave e gazetarëve nga ana e Qeverisë jep një shembull të keq për shoqërinë dhe krijon mundësi që ai model të ndiqet dhe nga të tjerët.

Sundimi i ligjit: Gjatë vitit 2021, sundimi i ligjit është karakterizuar me mangësi të shumta dhe mos-veprim nga ana e Qeverisë dhe e institucioneve për të ndjekur penalisht rastet e korrupsionit.

Sipas raportit të DASH-it, shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozita në sektorin publik dhe në masë të madhe raste të korrupsionit mbeten të pa-ndëshkuara. Rrjedhimisht, numri i rasteve të trajtuara nga organet e gjyqësisë e që kanë rezultuar me dënime, gjatë kësaj periudhe ende mbetet i ulët. 

Raporti ndër të tjera përkujton procesin e shkarkimit të kontestueshëm të zonjës Valdete Daka nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor vitin e kaluar. Ky vendim është problematizuar edhe nga Komisioni Evropian dhe Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve i BE-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që Qeveria e Kosovës ta marrë seriozisht raportin e DASH-it e jo ta injorojë këtë. Për më tepër, gjykuar nga zhvillimet e muajve të fundit në Kosovë, po të vazhdojë kjo praktikë e shkeljes së ligjit, ose e mozbatimit të tij, raportet e ardhshme, jo vetëm ky i DASH-it do të jenë edhe më shqetësuese.

Mungesa e transparencës së Qeverisë: si LDK kemi shprehur pakënaqësinë tonë për mos-transparencën e Qeverisë karshi proceseve me rëndësi për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Raporti i DASH-it vë në pah vështirësitë me të cilat janë përballur gazetarët në përpjekjet e tyre për t’iu qasur dokumenteve publike. Le të kujtojmë po ashtu se Raporti i fundit i Freedom House (2022), thekson, po citojmë, ‘Qeveria Kurti mori një sërë vendimesh kyçe gjatë gjithë vitit – duke përfshirë disa që lidhen me procesin e dialogut Kosovë-Serbi – me transparencë të kufizuar dhe pa u konsultuar me Kuvendin, duke shkaktuar kritika nga opozita dhe grupet e shoqërisë civile’.

Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që t’i adresojë këto shqetësime të paraqitura tashmë në disa raporte ndërkombëtare. Një vit e sa që nga koha kur e ka marrë detyrën, kjo Qeveri duhet të nisë të qeverisë më në fund, të sigurojë ambient ku sundon ligji, ku liria e shprehjes dhe të gjitha liritë e garantuara me kushtetutë, mbrohen, ku krijohen kushte të njëmendta për investime të huaja, ku ka zhvillim shoqëror, ekonomik, që aktualisht nuk po vërehet.


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *