Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rritjen enorme të çmimeve të derivateve.

“Vendi më i varfër në Evropë, me çmimet e derivateve më të larta. Çmimet e naftës po vazhdojnë të rriten, e rrjedhimisht dhe të dhjetëra produkteve bazike në Kosovë. Përderisa Qeveria po e luan rolin e spektarorit, duke vëzhguar nga larg se si qytetarët të vetëm po ballafaqohen me krizën e papërballueshmërisë së çmimeve. 

     Lidhja Demokratike e Kosovës më 7 mars, plot 95 ditë më parë, propozoi reduktimin e TVSH-së e të akcizës në naftë. U injoruam nga Qeveria me arsyetimin se kriza është e njëjtë nëpër Evropë. Kriza mund të jetë e njëjtë, mirëpo Qeveritë e vendeve europiane, nuk i kanë braktisur qytetarët, është e vetmja Qeveria e Kosovës e cila nuk ka marrë asnjë masë të vetme në daljen nga kriza. Duke bërë kështu që çmimet të stabilizohen në rritje.

Tanimë janë bërë disa muaj që qytetarët e Kosovës po përballen me rritje enorme të çmimeve të derivateve, ushqimit dhe pothuajse secilit produkt e shërbim të përditshëm.

Që nga dita e parë e krizës energjetike dhe e krizës së inflacionit LDK-ja kemi dhënë propozime konkrete për tejkalimin e secilës krizë me të cilën kjo Qeveri po ballafaqohet e nuk po ka idenë se si t’i tejkalojë.

U kemi dhënë propozime konkrete për energjinë të cilat nuk i përfillën dhe morën vendime joligjore duke krijuar, kështu, një kaos në sektorin e energjisë.

U kemi dhënë propozime konkrete për zbutjen e inflacionit, konkretisht uljen e akcizës në derivate dhe uljen e TVSh-së në ushqim, derivate dhe energji.

Fatkeqësisht, Qeveria nuk mori parasysh asnjë nga këto propozime dhe vetëm rrudhën supet duke parë problemin në sy por pa pasur guximin të ndërmarrin asnjë veprim.

Dembelia, pasiguria dhe padituria e kësaj Qeverie po u kushton qindra miliona euro qytetarëve të Kosovës. Qeveria nga çmimet e larta po vjelë tatime e taksa të larta, mbi kurrizin dhe xhepin e qytetarëve dhe familjeve kosovare.

Çmimi i litrit të naftës ka tejkaluar mbi 1,80 euro. Nëse për një periudhë të caktuar do të largoheshin tërësisht akciza dhe TVSh-ja, çmimi do të binte në rreth 1,20 euro. Pra, kjo Qeveri po u merr qytetarëve të Kosovës 60 cent për çdo litër naftë që ata konsumojnë.

Çmimi i secilit produkt ushqimor po rritet nga ditë në ditë ndërsa Qeveria në bisht të aeroplanit, nga salla në sallë duke ligjëruar mbi Internacionalen Socialiste.

Qeveria e Kosovës po pasuron buxhetin e saj, pra po pasuron vetveten duke varfëruar qytetarët.

Grupi Parlamentar i LDK-së do të kërkojmë që në Kuvendit e Kosovës të ketë një debat parlamentar dhe do të propozojë një rezolutë parlamentare për uljen e akcizës në derivate dhe uljen e TVSh-së në produktet esenciale deri në tejkalimin e kësaj krize.”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *