Statuti

Lidhja Demokratike e Kosovës

I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

Me këtë Statut, Lidhja Demokratike e Kosovës (në tekstin e mëtejmë LDK) përcakton dhe rregullon emrin, emblemën dhe selinë, përfaqësimin, anëtarësinë, të drejtat dhe përgjegjësitë, format e organizimit dhe të veprimit, procedurat për zgjedhje, forumet e saj, administratën, financimin, kushtet për ndërprerjen e veprimtarisë, si dhe çështjet e tjera me interes për anëtarët e saj.

Neni 2

LDK-ja është parti politike e qendrës së djathtë, e anëtarëve të lirë dhe të përgjegjshëm, të cilët veprojnë mbi bazë të Statutit, për të arritur objektivat e përcaktuara në Programin e saj politik.

Neni 3

3.1 Për realizimin e synimeve themelore të saj, LDK-ja shfrytëzon të gjitha mjetet demokratike parlamentare dhe joparlamentare.

3.2 LDK-ja bashkëpunon me parti dhe organizime të tjera politike dhe jopolitike, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

Neni 4

4.1 LDK-ja vepron në mënyrë të pavarur dhe publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4.2 LDK-ja organizohet dhe vepron edhe jashtë Republikës së Kosovës, në përputhshmëri me ligjet e shteteve përkatëse.

4.3 Selia e LDK-së është në Prishtinë.

Neni 5

5.1 LDK-ja ka vulën, akronimin, logon, flamurin dhe Ditën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

5.2 Formën dhe përmbajtjen e vulës, akronimit, logos dhe flamurit të LDK-së i përcakton Këshilli i Përgjithshëm, me propozim të Kryesisë, kurse mënyrën e përdorimit të tyre e përcakton Kryesia me vendim të veçantë.

5.3 Dita e Lidhjes Demokratike të Kosovës është 23 Dhjetori.

Neni 6

6.1 LDK-në e përfaqëson Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

6.2 Në mungesë të Kryetarit, LDK-në e përfaqësojnë nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe anëtarët e Kryesisë, me autorizimin e Kryetarit.

II. ANËTARËSIA

Neni 7

7.1 Anëtar i LDK-së mund të bëhet çdo qytetar madhor, i cili e pranon Programin dhe Statutin e LDK-së.

7.2 Anëtarësimi bëhet me deklarim të lirë, në formë të shkruar, në nëndegë dhe degë.

7.3 Regjistrin e LDK-së e mbajnë degët e LDK-së dhe Kryesia e LDK-së. Mbajtja e regjistrit dhe mënyra e lëshimit të kartelave për anëtarësinë rregullohet me rregullore të veçantë.

Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të LDK-së

Neni 8

8.1 Anëtari i LDK-së ka të drejtë:

– Të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur në organet e LDK-së;

– Të marrë pjesë në aktivitetet e LDK-së në mënyrë të barabartë;

– Të shprehë lirshëm mendimet brenda organeve të LDK-së;

– Të japë propozime dhe të ofrojë nisma që janë në përputhshmëri me këtë Statut, si dhe me Programin dhe qëndrimet themelore politike të LDK-së dhe të marrë pjesë në ndërtimin dhe realizimin e politikave të LDK-së;

– Të jetë i informuar për aktivitetet e LDK-së, si dhe të gëzojë edhe të drejta të tjera të parapara me Statut.

8.2 Anëtari i LDK-së ka për detyrë:

– T’i përmbahet Programit dhe Statutit të LDK-së;

– T’u përmbahet vendimeve dhe synimeve programore të LDK-së;

– Të ruajë nderin, autoritetin dhe interesat e LDK-së;

– Të përpiqet për suksesin e LDK-së në fushata zgjedhore;

– Të paguajë anëtarësinë dhe të përmbushë detyrimet e tjera në përputhshmëri me Statutin dhe dokumentet e tjera.

Neni 9

Kriter i vlerave në LDK është kontributi dhe përkushtimi i çdo anëtari dhe organi të saj në rritjen e anëtarësisë dhe të votave në të gjitha nivelet.

Neni 10

10.1 Anëtarët e LDK-së paguajnë anëtarësinë, mënyra dhe lartësia e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm.

10.2 Askush nuk mund të realizojë të drejta shtesë në LDK përmes dhurimit të donacioneve financiare.

Neni 11

Anëtarësimi në LDK pushon dhe fshirja nga evidenca bëhet me:

– Vdekjen e anëtarit;

– Dorëheqjen nga anëtarësia;

– Anëtarësimin në një subjekt tjetër politik;

– Kandidimin në listën e ndonjë subjekti tjetër politik apo si kandidat i pavarur;

– Përjashtim nga LDK-ja.

Neni 12

Anëtari i LDK-së, i cili jep dorëheqje nga anëtarësia, duhet të informojë për këtë Kryesinë e Degës. Me kërkesën e tij, mund t’i lëshohet vendimi me shkrim.

Përgjegjësitë e anëtarëve

Neni 13

13.1 Ndaj anëtarit të LDK-së, i cili vepron kundër Programit dhe Statutit të LDK-së, kundër vendimeve dhe qëndrimeve të organeve të LDK-së, në të gjitha shkallët e organizimit, i cili me sjelljet e tij i dëmton interesat e LDK-së, mund të shqiptohen masa disiplinore.

13.2 Zhvillimin e procedurës disiplinore, shkallën e përgjegjësisë dhe shqiptimin e masës disiplinore e bën Komisioni Disiplinor, i caktuar nga Kryesia e LDK-së.

Neni 14

14.1 Largimi i anëtarit nga LDK-ja mund të bëhet në rast se:

– Abuzon me vlerat themelore dhe objektivat e LDK-së;

– Vepron kundër kandidatëve të LDK-së në zgjedhjet parlamentare, lokale apo në nivele të tjera;

– I përkrah subjektet e tjera politike dhe kandidatët e tyre në zgjedhje.

14.2 Anëtarët e LDK-së nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDKsë, nëse ata publikisht i refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve anëtarë të të cilëve janë.

14.3 Vendimin për shqiptimin e masave disiplinore e merr Komisioni Disiplinor.

14.4 Inicimin për shqiptimin e masës disiplinore e bëjnë: Kryesia e LDK-së dhe Kryesitë e Degëve.

14.5 Anëtari i LDK-së ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor në shkallën e dytë në Këshillin e Përgjithshëm.

14.6 Vendimi i Këshillit të Përgjithshëm është përfundimtar.

14.7 Procedurat për marrjen e vendimeve nga Komisioni Disiplinor dhe Këshilli i Përgjithshëm për shqiptimin e masave disiplinore apo largimin nga LDK-ja, përcaktohen me rregullore të veçantë, të cilën e miraton Këshilli i Përgjithshëm me propozimin e Komisionit Statutar.

III. ORGANIZIMI DHE ORGANET E LDK-SË

Neni 15

15.1 LDK-ja është e organizuar në parimin territorial.

15.2 LDK-ja organizohet në Degë dhe Nëndegë.

15.3 LDK-ja bashkëpunon me anëtarët, përkrahësit dhe simpatizantët e vet edhe jashtë territorit të Kosovës, si dhe me organizatat e themeluara në shtetet e tjera, në pajtim me rendin juridik të këtyre shteteve.

15.4 LDK-ja mund të bashkëpunojë dhe të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare politike të cilat kanë aspiratë programore të ngjashme.

Neni 16

16.1 Lidhja Demokratike e Kosovës ka organet dhe komisionet e saj.

16.2 Organet e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë:

Kuvendi i LDK-së;
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së;
Kryetari i LDK-së;
Kryesia e LDK-së.
16.3 Komisionet e LDK-së janë:

Komisioni Statutar;
Komisioni Mbikëqyrës;
Komisioni Disiplinor.
Kuvendi i LDK-së

Neni 17

17.1 Kuvendi është organi më i lartë i LDK-së.

17.2 Kuvendi mund të jetë Zgjedhor dhe Kuvend Pune.

17.3 Kuvendi i rregullt zgjedhor mbahet çdo katër vjet. Në Kuvendin e rregullt zgjedhor, zgjedhen organet e LDK-së.

17.4 Kuvendi i Punës organizohet sipas nevojës ose së paku një herë ndërmjet dy kuvendeve zgjedhore. Kuvendi i LDK-së, tre muaj para përfundimit të mandatit, shqyrton raportin e punës dhe atë financiar

17.5 Kuvendin e LDK-së e thërret Kryetari i LDK-së.

17.6 Kuvendi i LDK-së thirret edhe atëherë kur këtë e kërkon 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin.

17.7 Kuvendi i thirrur sipas paragrafit paraprak mbahet në afatin prej 60 ditësh nga dita kur është shtruar kërkesa me shkrim.

Neni 18

18.1 Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve + kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.

18.2 Për numrin e delegatëve sipas degëve dhe kriteret e zgjedhjes së tyre vendos Këshilli i Përgjithshëm, përkatësisht Kryesia e LDK-së, në bazë të autorizimit të Këshillit të Përgjithshëm.

18.3 Me rastin e zgjedhjes së delegatëve për Kuvend, secila degë siguron përfaqësimin e femrave dhe të rinjve.

18.4 Në punën e Kuvendit marrin pjesë edhe anëtarët aktualë të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, por pa të drejtë vote, nëse nuk janë të zgjedhur delegatë të Kuvendit përkatës.

Neni 19

Kuvendi i LDK-së:

– Miraton, ndryshon dhe plotëson Programin dhe Statutin e LDK-së;

– Përcakton orientimet themelore të veprimit politik të LDK-së;

– Nxjerrë rezoluta, deklarata dhe merr vendime;

– Zgjedh Kryetarin e LDK-së;

– Zgjedh Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së;

– Zgjedh anëtarët e Komisionit Statutar, me propozim të Kryesisë;

– Shqyrton dhe vlerëson punën e organeve të LDK-së ;

– Vendos edhe për çështje të tjera në pajtim me Programin dhe Statutin e LDK-së, si dhe në rastet kur ka paqartësi apo ndonjë zbraztësi Kuvendi është interpretues i të gjitha çështjeve.

Neni 20

20.1 Vendimet e Kuvendit janë të plotfuqishme në qoftë se në mbledhje marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të zgjedhur të Kuvendit dhe nëse për to votojnë shumica e të pranishmëve.

20.2 Vendimet në Kuvend merren me votim të hapur.

Neni 21

21.1 Zgjedhja e organeve të LDK-së bëhet me votim të fshehtë.

21.2 Vendimet e organeve të LDK-së konsiderohen të vlefshme nëse në mbledhjen e këtyre organeve: Kuvendit, Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë, Kuvendit të degëve, Kryesive të degëve, dhe nëndegëve marrin pjesë shumica e anëtarëve të këtyre organeve dhe votojnë shumica e anëtarëve të pranishëm.

21.3 Vendimi sipas paragrafit 2 të këtij neni nuk vlen për shpërbërjen e LDK-së.

Këshilli i Përgjithshëm

Neni 22

22.1 Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë i LDK-së në mes të dy Kuvendeve Zgjedhore.

22.2 Këshillin e Përgjithshëm e zgjedh Kuvendi i LDK-së.

Neni 23

23.1 Këshillin e Përgjithshëm e përbëjnë 99 anëtarë.

23.2 Në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së zgjidhen 98 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm.

23.3 Kryetari i zgjedhur nga Kuvendi i LDK-së është anëtar dhe Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm.

23.4 Komisioni Kandidues i LDK-së, në konsultim me Kryetarin, e bën propozimin e listës iniciale për përbërjen e Këshillit të Përgjithshëm prej 98 kandidatëve.

23.5 Lista e iniciuar nga Komisioni Kandidues, në konsultim me Kryetarin e LDK-së, plotësohet edhe me kandidatë të tjerë nga ana e Kuvendit, por jo më shumë se 1/3 e numrit të përgjithshëm.

23.6 Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm mund të rizgjidhen.

23.7 Në punën e Këshillit të përgjithshëm marrin pjesë, pa të drejtë vote, deputetët, ministrat, kryetarët e komunave nga radhët e LDK-së, kryetarët e degëve të LDK-së, kryetarët e forumeve të LDK-së dhe të Këshillit të Ekspertëve të LDK-së, cilët nuk janë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm.

Neni 24

24.1 Këshilli i Përgjithshëm:

– I propozon për miratim Kuvendit LDK-së Programin dhe Statutin e LDK-së;

– Përcakton qëndrimet e LDK-së bazuar në orientimet kryesore politike të LDK-së dhe organeve të saj;

– Kujdeset për realizimin e vendimeve të Kuvendit të LDK-së;

– Vendos për koalicionet para dhe pas zgjedhore në nivel qendror,

– Me propozim të Kryetarit zgjedh dhe shkarkon anëtarët e Kryesisë, nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm;

– Me propozim të Kryesisë së LDK-së, përcakton Kandidatin për President dhe për Kryeministër nga radhët e LDK-së;

– Në bazë të listës iniciale të degëve, pas propozimit të Kryesisë, përcakton listën përfundimtare të kandidatëve të LDK-së për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës;

– Me propozim të kandidatit për kryeministër, miraton anëtarët e kabinetit qeveritar;

– Merr vendim për zgjedhjet në LDK;

– Vendos për pjesëmarrje të LDK-së në qeverisjen qendrore;

– Vendos për anëtarësim në organizatat vendore dhe ndërkombëtare;

– Ndjek realizimin e politikës së LDK-së nga ana e përfaqësuesve të saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në organet e tjera të pushtetit;

– Zgjedh Komisionin mbikëqyrës me propozim të Kryesisë;

– Shqyrton dhe miraton raportin mbi punën e Kryesisë së LDK-së, tre muaj para përfundimit të mandatit.

– Shqyrton dhe miraton raportin zgjedhor;

– Me propozim të Kryesisë miraton rregulloret e parapara me këtë Statut;

– Shqyrton dhe miraton planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të LDK-së.

24.2 Në rast se lidh koalicione me subjektet e tjera politike, LDK-ja do ta ruajë identitetin dhe subjektivitetin e saj.

Kryetari i LDK-së

Neni 25

25.1 Kryetari i LDK-së zgjedhet në Kuvendin e LDK-së, me votim të fshehtë.

25.2 Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50%+1 të delegatëve të pranishëm.

25.3 Në rast se Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetar;

25.4 Kryetari i LDK-së, njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.

Neni 26

Kryetari i LDK-së:

– Përfaqëson LDK-në në përputhje me Statutin dhe Programin e LDK-së, në vend dhe jashtë vendit;

– Udhëheq punën e LDK-së dhe të organeve të saj;

– Thërret dhe udhëheq mbledhjet e Kuvendit të LDK-së, të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë së LDK-së;

– Kujdeset për zbatimin e vendimeve të Kuvendit;

– Merr vendime dhe qëndrime politike në pajtim me Programin dhe Statutin e LDK-së;

– Emëron zëdhënësin e LDK-së;

– Emëron udhëheqësit në administratën e LDK-së;

– Jep iniciativa për zgjedhje kuadrosh;

– Organizon takime të rregullta dhe të jashtëzakonshme me kryetarët e degëve;

– Mund të thërrasë mbledhjen e secilit organ apo trup të LDK-së.

Neni 27

27.1 Për punën e tij, Kryetari i përgjigjet Kuvendit të LDK-së. Me propozimin e 1/3 së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të Kryetarit. Votimin për besim mund ta ngrejë edhe vetë Kryetari.

27.2 Me votim për shkarkim, në përputhje me nenin 21, pushon mandati i Kryetarit të LDK-së.

27.3 Kryetari mund të japë dorëheqje para skadimit të mandatit.

27.4 Në rast të paragrafit 2 dhe 3 të nenit 27, duhet të thirret Kuvendi i LDK-së, në afatin prej 60 ditësh.

Kryesia

Neni 28

28.1 Kryesia është organ politiko-ekzekutiv i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,

28.2 Kryesia përbëhet prej 23 anëtarëve.

Neni 29

29.1 Kryesinë e zgjedh Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

29.2 Kryetari i LDK-së i propozon Këshillit të Përgjithshëm listën prej 24 anëtarëve të Kryesisë.

29.3 Kryetari i LDK-së, Kryetarja e Forumit të Gruas dhe Kryetari i Forumit të Rinisë janë anëtarë të Kryesisë.

29.4 Zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë bëhet sipas dispozitave të përcaktuara me nenin 21 të këtij Statuti.

29.5 Në bazë të propozimit të Kryetarit të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm, nga radhët e anëtarëve të Kryesisë, zgjedh tre nënkryetarë dhe Sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së.

29.6 Këshilli i Përgjithshëm mund të zgjerojë listën e kandidatëve për Kryesinë e LDK-së me propozime deri në 1/3 e përbërjes së saj.

Neni 30

Kryesia e LDK-së:

– Merr vendime politike dhe vendime të tjera, po qe se ato nuk janë në kompetencë të organeve të tjera të LDK-së;

– Kujdeset për zbatimin e vendimeve të Kuvendit, Këshillit të Përgjithshëm, Kryetarit dhe vendimeve të veta;

– Kujdeset për bashkërenditjen e punëve të degëve dhe të nëndegëve, përcjell realizimin e vendimeve të organeve të LDK-së, merr vendime konkrete lidhur me organizimin dhe funksionimin e tyre;

– Zgjedh anëtarët e Komisionit Disiplinor;

– I propozon Këshillit të Përgjithshëm themelimin e degëve të reja për vendbanime të caktuara;

– Emëron Kryetarin e Grupit Parlamentar;

– Shqyrton dhe aprovon propozimet e Kryesive të degëve për kandidat për Kryetar të Komunave;

– Vendos për koalicione para dhe paszgjedhore në nivel lokal;

– Përcjell, analizon dhe përkrahë punën e organeve të LDK-së në terren dhe propozon masat përkatëse;

– Në raste të veçanta, pezullon punën e Kryesisë së Degës, Nëndegës, forumeve dhe Këshillave deri në vendimin përfundimtar të Këshillit të Përgjithshëm dhe thërret Kuvendin e Degës, Nëndegës dhe organet e forumeve dhe këshillave;

– Me vendim të veçantë përcakton mënyrën e përdorimit të vulës, akronimit, logos dhe flamurit të LDK-së;

– Zgjedh udhëheqësin e Fondacionit “Dr. Ibrahim Rugova”, me propozim të Kryetarit;

– Përgatit dhe i propozon Këshillit të Përgjithshëm Programin dhe Statutin e LDK-së;

– I paraqet Raport Vjetor të Punës Këshillit të Përgjithshëm;

– Qeveris pasurinë e LDK-së dhe i paraqet Raport Financiar një herë në vit Këshillit të Përgjithshëm;

– Vendos për dhënie të falënderimeve dhe të mirënjohjeve për merita e rezultate të punës;

– Kryen edhe punë të tjera në pajtim me Programin dhe me Statutin e LDK-së.

Neni 31

31.1 Punën e Kryesisë e drejton Kryetari i LDK-së.

31.2 Nënkryetarët ose Sekretari i Përgjithshëm e zëvendësojnë Kryetarin e LDK-së në rast të mungesës së tij ose sipas autorizimit,

31.3 Kryesia e LDK-së ka zëdhënësin, të cilin e emëron Kryetari i LDK-së.

Neni 32

32.1 Kryetari i LDK-së, përkatësisht Kryesia, kanë të drejtë të pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të organeve të LDK-së, të cilat janë në kundërshtim me Ligjin, me Programin dhe Statutin e LDK-së, si dhe me vendimet e tjera të LDK-së.

32.2 Në rastet e tilla janë të detyruar që menjëherë ta njoftojnë Këshillin e Përgjithshëm, për të marrë vendim përfundimtar.

Komisioni Statutar

Neni 33

33.1 Komisioni Statutar përbëhet prej Kryetarit, Zëvendëskryetarit dhe tre anëtarëve, të cilët i zgjedh Kuvendi i LDK-së.

33.2 Mandati i Komisionit Statutar është 4 vjet.

33.3 Komisioni Statutar:

– Interpreton Statutin dhe aktet e tjera të LDK-së,

– Përgatit propozimin e ndryshimeve të Statutit, sipas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm apo të Kryesisë së LDK-së,

– Kujdeset për harmonizimin e vendimeve të LDK-së me Statutin.

Neni 34

Anëtarë të Komisionit Statutar nuk mund të jenë:

– Anëtarët e Këshilli të Përgjithshëm;

– Anëtarët e Kryesisë së LDK-së;

– Anëtarët e komisioneve të tjera të LDK-së

Sekretari i Përgjithshëm

Neni 35

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së:

– Kujdeset për organizimin e punës së Kryesisë;

– Kujdeset për zbatimin e vendimeve të Kuvendit, të Këshillit të Përgjithshëm, të Kryetarit dhe të Kryesisë së LDK-së, si dhe udhëheq shërbimet profesionale;

– Nënshkruan dokumentet operative financiare;

– Kujdeset për përdorimin e vulave për të gjitha nivelet organizative;

– Administron pasurinë në shfrytëzim;

– Përcjell pagesat e anëtarësisë dhe për këtë i raporton Kryesisë së LDK-së;

– Nënshkruan kontrata;

– Organizon dhe bashkërendit punën e degëve të LDK-së dhe për këtë i raporton Kryetarit dhe Kryesisë së LDK-së;

– Kryen dhe punë të tjera, të cilat i parashtron Kryetari, Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e LDK-së.

Komisioni Mbikëqyrës

Neni 36

36.1 Komisioni Mbikëqyrës është trup Kontrollues-mbikëqyrës i LDK-së, i cili zgjidhet për 4 vjet.

36.2 Komisioni Mbikëqyrës përbëhet prej 3 anëtarëve, të cilët i zgjedh Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

36.3 Komisioni Mbikëqyrës kontrollon të hyrat financiare të LDK-së, shpërndarjen e tyre dhe menaxhimin me pronën në shfrytëzim të LDK-së.

36.4 Komisioni Mbikëqyrës për kontrollin e brendshëm i raporton Këshillit të Përgjithshëm.

Komisioni Disiplinor

Neni 37

37.1 Komisioni Disiplinor përbëhet prej 3 anëtarëve.

37.2 Dy anëtarë i zgjedh Kryesia e LDK-së, kurse një anëtar zgjidhet nga Kryesia e degës nga e cila trajtohet rasti.

37.3 Mënyra e funksionimit dhe fushëveprimi i Komisionit rregullohet me rregullore të veçantë.

Forumet, Këshillat dhe Grupet e Interesit të LDK-së

Neni 38

38.1 Lidhja Demokratike e Kosovës vepron në fusha të caktuara nëpërmjet forumeve, këshillave dhe grupeve të interesit.

38.2 Forumet e LDK-së janë:

– Forumi i Gruas së LDK-së,

– Forumi Rinor i LDK-së,

38.3 Këshillat dhe grupet e interesit të LDK-së janë:

– Grupimi i Bizneseve i LDK-së dhe

– Këshilli i Ekspertëve i LDK-së.

38.4 Forumet e LDK-së afirmojnë dhe realizojnë politikat e Lidhjes Demokratike në fushat në të cilat veprojnë dhe u ndihmojnë organeve të LDK-së për krijimin e politikave të qëndrueshme.

38.5 Forumi i Gruas i LDK-së organizohet në Nëndegë, Degë dhe nivel qendror.

38.6 Në Forumin Rinor të LDK-së organizohen të rinjtë nga mosha 16 deri në moshën 30-vjeçare.

– Forumi Rinor organizohet në Nëndegë, Degë dhe nivel qendror.

38.7 Organizimi dhe zgjedhjet në forumet dhe këshillat e LDK-së bëhet me rregullore te veçanta, të cilat miratohen nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

38.8 Forumi i bizneseve bashkon përfaqësuesit e bizneseve, përfshirë NVM-të, me qëllim të propozimit dhe promovimit të politikave zhvillimore dhe vijuese ekonomike.

38.9 Këshilli i Ekspertëve i LDK-së përbëhet nga krijues dhe ekspertë shkencorë, arsimorë, kulturorë dhe profesionalë.

38.10 Këshilli i Ekspertëve i LDK-së zhvillon dhe propozon programe, projekte dhe qëndrime politike për organet e LDK-së, të cilat pasi të aprovohen nga këto organe bëhen qëndrime zyrtare të LDK-së. Me aprovim të Kryetarit apo Kryesisë i adresohet opinionit.

38.11 Në kuadër të LDK-së veprojnë grupet e interesit, si veteranët e luftës, invalidët, pensionistët dhe grupet e tjera.

Grupi Parlamentar

Neni 39

39.1 Grupin Parlamentar e përbëjnë përfaqësuesit e zgjedhur të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

39.2 Grupi Parlamentar:

– Implementon politikat e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës;

– Shqyrton të gjitha çështjet parlamentare dhe inicion aktivitete ligjvënëse;

– Bashkërendon marrjen e vendimeve në harmoni me politikat e LDK-së të adresuara nga Kryetari dhe Kryesia.

39.3 Grupet e Këshilltarëve formohen në nivele të kuvendeve komunale.

39.4 Funksionimi i Grupit Parlamentar të LDK-së dhe të Grupeve të Këshilltarëve në kuvendet komunale rregullohet me rregullore të veçantë.

Organizimi në nivel të degëve dhe të nëndegëve të LDK-së

Neni 40

40.1 LDK në terren organizohet në dy nivele, në:

– Degë të LDK-së dhe

– Nëndegë të LDK-së.

Neni 41

41.1 Degët dhe nëndegët e LDK-së janë njësi të organizimit dhe të veprimit territorial të LDK-së.

41.2 Degët e LDK-së janë njësi të organizimit në nivel të komunës, sipas ndarjes territoriale administrative të Republikës së Kosovës.

41.3 Degët e LDK-së mund të themelohen edhe nëpër vendbanime të caktuara me vendim të veçantë të Këshillit të Përgjithshëm, me propozim të Kryesisë.

41.4 Prishtina ka pesë Dege të LDK-së, bashkërenditjen e të cilave e bën Kolegjiumi i Degëve, pa të drejtë të marrjes së vendimeve.

41.5 Puna e Kolegjiumit të Degëve në Prishtinë rregullohet me rregullore të veçantë.

41.6 Degët mund të formohen edhe jashtë vendit, me propozim të Kryesisë dhe vendim të Këshillit të Përgjithshëm.

41.7 Degët e LDK-së jashtë vendit përfaqësohen në Kuvendin e LDK-së me dhjetë delegatë.

41.8 Kriteret e përfaqësimit i përcakton Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ose Kryesia e LDK-së me autorizim të KP të LDK-së.

41.9 Degët e LDK-së jashtë vendit e kanë kolegjiumin e tyre, të përbërë nga kryetarët e Degëve, të cilët bashkërëndisin punën e Degëve, pa të drejtë të marrjes së vendimeve.

Kryetari i Kolegjiumit të Degëve zgjedhet nga Kolegjiumi për një vit me rotacion.

41.10 Degët e LDK-së jashtë vendit, krahas respektimit të Programit dhe Statutit të LDK-së, duhet të respektojnë edhe legjislacionin e vendit përkatës.

Neni 42

42.1 Organet e Degës së LDK-së janë:

– Kuvendi;

– Kryetari dhe

– Kryesia e Degës.

42.2 Kuvendin e Degës e përbëjnë 101 delegatë, të zgjedhur në kuvendet e nëndegëve dhe përfaqësuesit e forumeve, nëse ato janë të organizuara.

42.3 Kuvendi i Degës së LDK-së, në përputhje me Programin dhe Statutin e LDK-së:

– Nxjerr Programin e Punës së Degës;

– Shqyrton dhe miraton Raportin e Punës së Kryesisë;

– Zgjedh Kryetarin e Degës dhe Kryesinë;

– Zgjedh delegatët për Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës;

– Merr vendime dhe qëndrime të tjera politike, në pajtim me Programin, Statutin e LDK-së, vendimet e Këshillit të Përgjithshëm, të Kryetarit dhe të Kryesisë së LDK-së.

42.4 Kuvendi i Degës së LDK-së nuk mund të zgjedhë për delegatë në Kuvendin e LDK-së anëtarin e LDK-së i cili ka hyrë më parë në procesin zgjedhor në ndonjë kuvend të ndonjë dege tjetër të LDK-së, pa marrë parasysh rezultatin e votimit për të.

Neni 43

43.1 Kuvendi Zgjedhor i Degës mbahet çdo 4 vjet dhe i paraprin Kuvendit Zgjedhor të LDK-së.

43.2 Ndërmjet kuvendeve të rregullta zgjedhore, mbahen kuvendet e punës, së paku një herë.

43.3 Kuvendi i Degës thirret edhe atëherë kur këtë e kërkojnë 1/3 (një e treta) e delegatëve që e përbëjnë Kuvendin.

Kryetari i Degës

Neni 44

44.1 Kryetari i Degës zgjidhet në Kuvendin e Degës, me votim të fshehtë, me më shumë kandidatë, të cilët jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre në komunën në të cilën është organizuar Dega.

44.2 Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend të Degës. Kandidatura miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm.

44.3 Kryetari i Degës është kryetar i Kuvendit të Degës dhe i Kryesisë së Degës.

44.4 Kryetari i Degës:

– Përfaqëson degën në pajtim me Statutin dhe Programin e LDK-së;

– Thërret Kuvendin e Degës;

– Thërret dhe udhëheq mbledhjet e Kryesisë së Degës;

– Kujdeset për zbatimin vendimeve të Kuvendit të Degës;

– Emëron udhëheqës të fushave të ndryshme të aktivitetit të LDK-së;

– I propozon Kuvendit kandidatët për anëtarë të Kryesisë, kurse Kuvendi ka të drejtë të shtojë edhe 1/3 (një të tretën) e kandidatëve për Kryesi;

– I propozon Kryesisë kandidatët për nënkryetar dhe sekretar të LDK-së;

– Bashkërendit punën me nëndegët;

– Kryen edhe punë të tjera, që dalin nga organet më të larta të LDK-së.

Kryesia e Degës

Neni 45

45.1 Kryesia e Degës është organ politiko-ekzekutiv i Kuvendit të Degës dhe përgjigjet për realizimin dhe zbatimin e vendimeve të Kuvendit të Degës, si dhe të organeve më të larta të LDK-së.

45.2 Numri i anëtarëve të Kryesisë së Degës përcaktohet me vendim të veçantë të Kryesisë së LDK-së, 15+2 për degët me numër më të vogël të anëtarësisë dhe 19+2 për degët me numër më të madh të anëtarësisë.

45.3 Anëtarë të Kryesisë së Degës janë edhe kryetarja e Forumit të Gruas dhe Kryetari i Forumit të Rinisë.

45.4 Kryesia e Degës:

– Bashkërenditë punën e nëndegëve;

– Vendos për planin vjetor financiar të degës;

– Vendos për listën e kandidatëve për këshilltarë të Asamblesë Komunale;

– Propozon kandidatët për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga territori i saj;

– I propozon Kryesisë së LDK-së (qendrore) kandidatët për kryetarë të komunave;

– Emëron komisionet funksionale, sipas nevojës;

– Me propozim të Kryetarit të Degës, zgjedh Nënkryetarin dhe Sekretarin e Degës;

– Nxjerr rregulloret në nivel të Degës, në harmoni me Statutin e LDK-së;

– Bashkërenditë, përcjell, analizon dhe përkrah aktivitetin e nëndegëve në terren;

– Kujdeset për organizimin e zgjedhjeve partiake, zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme.

Nëndega

Neni 46

46.1 Nëndega formohet në territorin e një apo më shumë fshatrave, respektivisht lagjeve të qytetit.

46.2 Organet e nëndegës së LDK-së janë Kuvendi, Kryesia dhe Kryetari.

46.3 Kuvendi i Nëndegës zgjedh Kryetarin, Kryesinë e Nëndegës dhe delegatët për Kuvendin e Degës.

46.4 Numri i delegatëve të Kuvendit të nëndegës caktohet varësisht prej numrit të anëtarëve të LDK-së në nëndegë. Në të njëjtën mënyrë caktohet edhe numri i anëtarëve të Kryesisë së Nëndegës, por jo më shumë se njëmbëdhjetë.

46.5 Kuvendin e Nëndegës, në nëndegën që ka më pak se 100 anëtarë, e përbëjnë të gjithë anëtarët e LDK-së të asaj nëndege.

46.6 Kuvendi i Nëndegës e cila ka më shumë se 100 anëtarë zgjedh Kuvendin e Nëndegës nga anëtarësia e nëndegës përkatëse.

46.7 Përfaqësimi i nëndegëve në Kuvendin e Degës bëhet me vendim të Kryesisë së Degës, në bazë të kritereve të numrit të anëtarësisë.

46.8 Nëndega ka kryesinë e saj, e cila zbaton vendimet e degës dhe të organeve më të larta të LDK-së.

46.9 Kryesia e Nëndegës zgjedh Nënkryetarin dhe Sekretarin e Kryesisë së Nëndegës.

IV. INSTITUCIONET, ADMINISTRATA DHE FINANCAT

Neni 47

47.1 Institucion i veçantë i LDK-së është Fondacioni “Ibrahim Rugova”.

47.2 Fondacioni “Ibrahim Rugova” ka udhëheqësin e tij, të cilin e zgjedh Kryesia e LDK-së, me propozim të Kryetarit.

47.3 Fondacioni ka stafin profesional, numrin e të cilit e përcakton Kryesia.

Neni 48

Fondacioni “Ibrahim Rugova” merret me:

– Promovimin e filozofisë rugoviane, të përcaktuar si: Liri, Pavarësi dhe Demokraci;

– Hulumtime politike, sociale dhe kulturore, në interes të Lidhjes Demokratike të Kosovës;

– Siguron fonde për mbështetje të botimeve dhe të hulumtimeve;

– Kryen veprimtari botuese;

– Bashkëpunon me fondacionet e tjera të partive të qendrës së djathtë;

– Jep mirënjohje për personalitete vendore dhe ndërkombëtare, që kanë punuar për pavarësinë e Kosovës, të cilët punojnë për demokratizimin e shoqërisë kosovare dhe për zhvillimin e saj ekonomik, social dhe kulturor.

Administrata e LDK-së

Neni 49

49.1 Administrata e LDK-së mbështet punën e organeve dhe trupave politike të LDKsë.

49.2 Administrata e LDK-së organizohet në sektorë dhe zyra të veçanta.

49.3 Administrata e LDK-së udhëhiqet nga Drejtori i Administratës.

49.4 Sektorët dhe zyrat e LDK-së janë:

– Sektori i Administratës së Përgjithshme dhe i Çështjeve Juridike;

– Sektori i Financave, Buxhetit dhe Grumbullimit të Fondeve;

– Sektori i Mbështetjes Profesionale;

– Zyra e Protokollit dhe Marrëdhënieve me Jashtë;

– Zyra për Marrëdhënie me Publikun, që përfshin edhe Qendrën për Informim të Kosovës (QIK).

49.5 Administrata e LDK-së:

– U ofron mbështetje profesionale dhe teknike organeve të LDK-së, Grupit Parlamentar të LDK-së dhe Degëve të LDK-së;

– Publikon politikat, qëndrimet dhe strategjitë e LDK-së në mediet vendore dhe ndërkombëtare, elektronike dhe të shkruara.

49.6 Drejtori i Administratës, udhëheqësit e sektorëve dhe të zyrave, për punën e tyre, i përgjigjen Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesisë.

49.7 Organizimi dhe funksionimi i Administratës së LDK-së rregullohet me rregullore të veçantë.

Financimi i LDK-së

Neni 50

50.1 Burimet e financimit të LDK-së janë:

– Burimet publike – mjetet nga Buxheti i Republikës së Kosovës;

– Burimet nga anëtarësia dhe donacionet e personave fizik dhe bizneseve, të hyrat nga aktivitetet promovuese të LDK-së, botimet dhe nga prona e LDKsë.

50.2 LDK-ja ka Zyrtarin Financiar, të cilin e emëron Kryetari dhe i përgjigjet drejtpërsëdrejti atij.

50.3 Zyrtari Financiar është përgjegjës për:

– Përgatitjen dhe ekzekutimin e planeve financiare (buxhetit);

– Hartimin e raporteve financiare dhe raportimin para institucioneve të parapara me ligj.

50.4 Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, me propozim të Kryesisë, cakton lartësinë e pagesës së anëtarësisë për çdo vit kalendarik, si dhe destinimin dhe mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve.

50.5 Kryesia e LDK-së, çdo vit, cakton shumën e mjeteve të cilat u barten degëve, sipas kritereve të cilat rregullohen me rregullore të veçantë.

50.6 Për mjetet financiare të LDK-së dhe shfrytëzimin e tyre, Kryesia i raporton Këshillit të Përgjithshëm çdo vit.

V. MANDATI I ORGANEVE TË ZGJEDHURA, AKTET THEMELORE DHE KUSHTET NË TË CILAT PUSHON SË EKZISTUARI LDK-ja

Neni 51

51.1 Mandati i anëtarëve të organeve të zgjedhura të LDK-së është 4 (katër) vjet.

51.2 Shkarkimi i anëtareve të zgjedhur të organeve të LDK-së bëhet në të njëjtën mënyrë sikurse janë zgjedhur.

51.3 Anëtarët e organeve të zgjedhura të LDK-së, të cilëve u grumbullohen më shumë pozita partiake apo partiake dhe parlamentare (qendrore ose lokale), duhet të tregojnë gatishmëri për t’u tërhequr nga pozitat, të cilat ata nuk mund t’i ushtrojnë siç e kërkon interesi i LDK-së ose pozitat të cilat paraqesin konflikt interesi.

51.4 Nëse anëtarët e organeve të LDK-së nuk paraqesin gatishmëri për të hequr dorë nga pozitat e shumëfishta, atëherë iniciativën e merr Kryetari i LDK-së, kryetarët e degëve dhe kryesitë.

51.5 Çështja e posteve të shumëfishta dhe konflikti i interesit rregullohen me rregullore të veçantë.

Neni 52

52.1 Akt themelor i Lidhjes Demokratike të Kosovës është Statuti i LDK-së.

Neni 53

53.1 LDK-ja mund të pushojë së ekzistuari nëse për këtë vendosin ¾ (tre të katërtat) e të gjithë delegatëve në mbledhjen e rregullt apo të jashtëzakonshme të Kuvendit të LDK-së.

53.2 Me rastin e shuarjes nga alineja 1 e këtij neni, respektivisht në rast të shpërbërjes së LDK-së, së pari përmbushen të gjitha detyrimet ndaj kreditorëve, kurse pjesa e mjeteve të mbetura, me vendim të posaçëm të organit që merr vendim mbi shpërbërjen e LDK-së, do të shpërndahen në organizata humanitare të vendit.

 

VI. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 54

54.1 Ndryshimet dhe plotësimet e këtij Statuti bëhen sipas procedurës për nxjerrjen e tij.

54.2 Nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit mund ta japë Kuvendi i LDKsë, Këshilli i Përgjithshëm, Kryetari, Kryesia e LDK-së dhe Komisioni Statutar.

54.3 Ndryshimet dhe plotësimet në organet e LDK-së ndërmjet dy kuvendeve zgjedhore, të bazuara në Programin Politik të LDK-së, mund të bëhen edhe me votim të

hapur. Vendimi për votim të hapur merret me së paku 50 për qind plus një votë të anëtarëve të organit përkatës.

Neni 55

55.1 Interpretimin autentik të këtij Statuti e bën Kuvendi i LDK-së.

55.2 Shpjegimet për zbatimin e dispozitave të këtij Statuti i jep Komisioni Statutar.

55.3 Tekstin e spastruar të Statutit dhe aktet e tjera të LDK-së i ruan Sekretari i Përgjithshëm dhe Komisioni Statutar.

Neni 56

56.1 Ky Statut hyn në fuqi ditën e miratimit nga Kuvendi i LDK-së.

56.2 Me hyrjen në fuqi të këtij Statuti, pushon vlefshmëria e Statutit të mëparshëm.

 

Prishtinë,

Maj 2016