Zemaj: Dorëheqja e ministrit të shëndetësisë është vetë paaftësia qeverisëse e Kurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot mbajti konferencë për medie lidhur me situatën në sektorin e shëndetësisë, me ç’rast anëtari i Kryesisë Qendrore, Armend Zemaj, deklaroi se për këta 18 muaj kanë ndodhur një sërë dështimesh dhe padrejtësish ndaj qytetarëve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësor.

Zemaj, nënvizoi se paaftësia qeverisëse mbetet kryefjalë e udhëheqjes së pushtetit aktual.

Ai, theksoi se kanë kaluar 18 muaj nga puna e kësaj Qeverie, ku tre ministra, përfshirë edhe Kurtin, e kanë udhëhequr ministrinë e Shëndetësisë; i pari ka qenë më i dobët se i dyti, ndërsa i treti, pra Kurti, është më i dobët se i dyti dhe i pari. Ndërsa, shtoi se dorëheqja e Latifit vjen edhe si pasojë e dy faktorëve shtesë:

-Dështimin e Kurtit si kryeministër

-Dështimin e Kurtit si ministër i Shëndetësisë

“Mos të harrojmë se për këta 18 muaj kanë ndodhur një sërë dështimesh dhe padrejtësish ndaj qytetarëve, pacientëve dhe profesionistëve shëndetësor.

-Është e padrejtë kur kryesuesja e Bordit është edhe kryesuese e Komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave.

-Është e padrejtë mijëra operacione bëhen më pak në kuadër të SHSKUK-së, e shumë më shumë në sektorin privat.

-Është e padrejtë kur qindra qytetarë kërkojnë shërim jashtë vendit, ndërsa pushteti qëndron si spektator.

-Është e padrejtë kur lista e pritjes për të marrë shërbime shëndetësore, në disa raste arrin deri në fundin e vitit 2024.

-Është e padrejtë është mungesa e barnave esenciale, dhe më i padrejtë është fakti se aty është një hije e zezë keqpërdoruese e cila shumë shpejt do të mund të marr formën e një hije të keqe korruptuese.

Padrejtësitë e mëdha të këtij pushteti janë të prezantuara edhe në raportin e aludimit, ku është një mal me shkelje e keqpërdorime.

-Është e dhimbshme për vendin kur vetëm sivjet mbi 170 mjek të rinj dhe mbi 60 mjek me përvojë 20 vjeçare janë larguar nga institucionet publike shëndetësore.

-Edhe më i dhimbshëm bëhet fakti kur në Kosovë janë edhe më shumë se 650 mjek të papunë.

Paradoksale; po rriten ikjet e mjekëve, ndërkohë që rritet edhe numri i mjekëve të papunë.

Për fund kam edhe një pyetje:

Pas dorëheqjes së doktor Latifit, a është Kurti ministër i ri i vetëm i Shëndetësisë, apo do të ketë edhe një person tjetër të radhës për të mbuluar dështimet e tij? Do të ishte e drejtë që ai të dilte dhe të thoshte se do të merret personalisht me këtë çështje”, tha Zemaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *