Berat Rukiqi: Qeveri e paaftë dhe krenare me dështime

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, për të adresuar segmentet kryesore të dështimit të kësaj qeverie, në qeverisjen ekonomike gjatë 3 viteve. Më poshtë gjeni fjalën e z. Berat Rukiqi, anëtar i Kryesisë. 

“Ju falenderoj që ju keni bashkëngjitur ftesës sonë për këtë konferencë për media. Ajo pse ju kemi ftu sot është shpalosja e dy nga segmenteve kryesore të dështimit të kësaj qeverie në qeverisjen ekonomike të vendit për 3 vitet e qeverisjes. Është një seri e konferencave për media që do t’i organizojmë, për t’i shpalosur dështimet edhe në segmente tjera, jo vetëm tek pjesa e ekonomisë por pothuajse në çdo sferë ku ka dështime të tilla dhe ku nuk ka alternativë, dhe normalisht në faza të më vonshme do t’i paraqesim edhe alternativat tona nga programi qeverisës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, programi “Rruga e Re”. 

Dështimet për të cilat po flasim e kanë burimin në paaftësinë dhe arrogancën e kësaj qeverie. Por, ajo që është me rëndësi të theksohet është se të njëjtat po na vijnë me faturë të shtrenjtë dhe këtë faturë të shtrenjtë po e paguajnë qytetarët e vendit. Për habi ka një aftësi të veçantë nga kjo Qeveri dhe veçanërisht nga kryeministri Kurti që të njëjtat dështime t’i përkthejnë me plotë krenari si suksese dhe si rekorde. 

Kjo Qeveri është sinonim i qeverisjes me paaftësi por duke qëndruar krenar, pra të paaftë dhe krenar me paaftësinë e vet. Kryeministri vazhdon t’i paraqes këto si suksese dhe rekorde por për çfarë rekorde bëhet fjalë do t’i shohim në prezantimin në vijim. 

Fillojmë me inflacionin, në vitin e parë të punës së qeverisë, inflacioni ka qenë 3.2%, ka qenë një cikël ekonomik i cili sapo kishte dalur nga pandemia dhe ja shikoni se çfarë kanë arritur si rekord 11.6% në vitin 2022, 4.9% në vitin 2021. Ne i kemi përkthyer sa na kushtojnë në xhep këto, sa ka kosto kjo në mirëqenien tonë. Inflacioni ishte i pashmangshëm për shkak të ndryshimeve në tregun global mirëpo në të njëjtën kohë ndikimi i inflacionit në xhepin e qytetarëve ishte i shmangshëm nëse qeveria do të vepronte me kompetencë dhe të ishte e aftë për t’i adresuar këto probleme. Sot 100 euro të vitit 2020, para se me fillu punën kjo Qeveri sot e kanë vlerën 81,65 euro, ky është vetëm një ilustrim për të treguar se sa ndikon paaftësia e një Qeverie në mirëqenien tonë. I keni parë edhe raportet e tjera të Agjencisë së Statistikave ku ilustrohet qartë që një shpenzim i paplanifikuar në vlerë 100 euro, secilin na fut në telashe. Nëse në vitin 2020, e kemi pasur një pagë mesatare 450 euro dhe i kemi paguar të gjitha obligimet me këtë shumë, sot, për t’i paguar obligimet e njejta na duhen 556 euro. A ka ndryshuar diçka me pagat tona, jo, ka qenë totalisht një përgjigje arrogante saherë e kemi kërkuar rritjen e koeficientit të pagave. Andaj qytetarët, është e faktuar statistikisht që 50% të pagës e dërgojnë në produktet bazike, pa të cilat nuk mund të jetohet. 

Pjesa e dytë e ilustrimit të dështimit të paaftësisë së Qeverisë është deficiti tregtar. Asnjëherë nuk ka ndodhur në një periudhë 3 vjeçare të kemi rritje 76,7% të deficitit tregtar. Ka qenë në vlera më të ulëta, tre katër herë më të ulëta. E kanë marrë deficitin tregtar me 2.8 milionë euro, janë në vitin e tretë kanë përfunduar me 5 miliardë euro. Dështim në përkrahje të eksporteve, dështim në prodhimin vendor, dështim në përkrahje të sektorit privat. Pa këto shtylla me ndihma dhe me lëmoshë nuk mbahet ekonomia. Kjo tregon më së miri se sa kanë pasur efekt shpërndarja e lëmoshës, të cilat asgjë nuk kanë arritur më shumë se sa në rritje të deficitit tregtar. Këto para nuk qëndrojnë në ekonominë tonë. Deri në fund të mandatit do të kemi dyfishim të deficitit tregtar, i cili është jashtëzakonisht shqetësues. Një qëllim që po flasim, është demaskimi në manipulimet statistikore, ka qenë qesharake disaherë me grafikone se si i kanë paraqitur, duke i fryer grafikonet për të dalë një pasqyrë më e mirë. 

Nëse flasim për eksport për një nga indikatorët kryesorë makro ekonomik të vendit nga viti 2022 në vitin 2023 kemi plotë 101milionë euro më pak eksport. Në komplet 8 vjeçarin e fundit, Kosova ka pasur rritje të eksporteve, simbolike por të rëndësishme. Këtë vit janë 101 milionë euro më pak eksport dhe krahas asaj që Qeveria nuk e ka përkrahur sektorin privat ose me shfrytëzu momentum për ta rritur eksportin, e njëjta Qeveri ka tregu paaftësi të jashtëzakonshme në politikën e jashtme edhe në qasjen me aleat. Edhe sa po flasim jemi nën sanksione të cilat e kanë një impakt të drejtpërdrejt financiar, qindra milionë euro në projekte të rëndësishme, përfshirë sektorin e energjisë, digjitalizmit. Por krahas këtij efekti të drejtpërdrejt financiar, ajo që është shumë evidente është që sanksionet kanë pasur ndikime në humbjen e besimit në tregun e Kosovës dhe kjo humbje ka ndikuar që kompanitë e huaja të porositin më pak produkte, e kjo reflekton në rënie të dukshme të eksporteve. 

Një paaftësi shumë dimensionale jo vetëm në ekonomi por edhe në politikën e jashtme. Nëse ka një sinonim për këtë qeverisje është paaftësia dhe keqqeverisja sepse secili sektor ekonomik nuk është që ka treguar vetëm paaftësi por ka një numër të madh të skandalave, qoftë ministria tregtisë, infrastrukturës etj.


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *