Lushaku: Arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për medie, ku ka adresuar shqetësimet e saj për rezultatet e fandit të PISA-së. Më poshtë gjeni fjalën e znj. Jehona Lushaku Sadriu, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së.

“Faleminderit shumë përfaqësues të medieve, për interesimin dhe përgjigjen pozitive.

Sot LDK po e ngritë shqetësimin për fushën e arsimit, për politikat arsimore dhe ndikimin e faktorëve të ndryshëm që nuk po japin asnjë rezultat në këtë fushë. Më lejoni të them se indikacionet dhe matjet e fundit që kanë bërë raportet ndërkombëtare në Kosovë, flasin për politika komplet joadekuate dhe asnjë rezultat. Por flasin edhe për degradim të sistemit arsimor, duke mos dhënë asnjë rezultat në performancën e nxënësve. 

I referohem rezultateve të fundit të publikuara dje nga OECD-ja, rezultatet e PISA-së, e cila Kosovën e rangon edhe më poshtë se në vitin 2018. Të dhënat janë tepër shqetësuese kur nxënësit e Kosovës, 15 vjeçarët, tregojnë performancë të dobët në lexueshmëri, matematikë dhe në shkencë. Këto rezultate janë shqetësuese jo vetëm për Ministrinë, janë shqetësuese për shkollat edhe për përfitimet që i kanë nxënësit, të nxënit, edhe e masin nxënësin se sa përfiton nga shkolla në përgjithësi. 

Më lejoni të them se këtu, shohim një dështim në mënyrën e bashkë organizimit nga MASHT-i, të organizimit të testit PISA. Ashtu siç janë bërë edhe testimet e tjera, testimet kombëtare edhe që MASHT-i ka dështuar t’i organizojë ato, ka dështuar si Ministri të adaptojë rrethanat ku nxënësit kosovar do të tregonin performancë më të mirë. Të dhënat tregojnë se kalueshmëria është tepër e dobët në testet tona kombëtare dhe këtu flasim për një dështim të vet MASHT-it në organizimin e testeve tona kombëtare, çka flet se është komplet në diskrepancë me atë se sistemi arsimor, mënyrën se si realizohet dhe mënyra e realizmit të testimit. 

Më lejoni të them që për të ardhur tek rezultatet apo tek analizat e mirëfillta, ne duhet të shohim se çka bën MASHT-i sot, çka bën kjo qeveri në arsim, fillimisht dua të them që arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Nësë ju kujtohet në vitet paraprake kur testet e PISA-së janë publikuar, Vetëvendosje ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Është pikërisht sot Vetëvendosje ajo që nuk tregon performancën minimale ose kujdesin minimial sa i përket arsimit. 

E shohim një Ministri, e cila nuk ka bërë asnjë hap në riorganizmin e shkollave. Shkolla është njësia celulë e organizimit të arsimit, ku janë shkollat sot? Shkollat sot nuk kanë një sistem të etabluar menaxherial në mes vete, një koordinim mes vete. Por edhe shkolla brenda për brenda nuk ka kapacitete për ta organizuar mësimin ashtu siç duhet. Vet MASHT-i konstaton se 73% të paraleleve dhe 33% të shkollave nuk kanë kapacitete minimale per organizimin e mësimit në Kosovë. Tani shtrohet pyetja legjitime, kush është përgjegjës për krijimin e kushteve, është ministria. Ministria e ka buxhetin që duhet të bëj investime kapitale. 

A e dini sa janë investimet kapitale në dy vitet e fundit nga Ministria e Arsimit? 10% në vitin 2022 edhe 16% deri në shtatorin e vitit 2023. Kjo flet shumë për seriozitetin që ka Ministria, për t’i ngritur kapacitetet infrastrukturore të shkollave tona në Kosovë.

Çështja tjetër është mënyra se si Ministria i le shkollat pa buxhet dhe pa mundësi për të ekzekutuar asnjë cent të buxhetit dedikuar shkollave të tyre. Imagjinojeni sot kemi një drejtor shkolle, i cili asnjë shkumës nuk arrin, ose nuk ka kompetenca që ta blej vet, duhet të shkojë në komunë, e për rregullimin e kompetencave dhe mënyrën se si menaxhohen shkollat është MASHT-i.

Aspekti tjetër është se shumë lehtësira do të ndodhnin po që se kjo Ministri do të kishte vizion se si do duhej që të organizohej një shkollë. Dixhitalizimi përshembull. Shikojeni,  PISA thotë se nxënësit tanë 30% rrijnë në telefona edhe në kohën gjatë qëndrimit në shkollë. A jemi të vetëdijshëm se shkollat tona e lejojnë qasjen në internet në çdo platform digjitale, ndërkohë që janë në objektet shkollore. Është tepër e thjesht mënyra e kontrollimit të qasjeve teknologjike të nxënësve përderisa janë në shkolla. Por, Ministria nuk ka bërë asnjë ndërhyrje, asnjë hap për procesin e digjitalizimit që do të lehtësonte menaxhimin për shkollat, do të forconte trekëndëshin prind, arsimtar dhe drejtori, do të forconte dhe do të lehtësonte faktikisht të nxënit përmes mjeteve të konkretizimit digjitale, për çka do të ishte shumë e lehtë, sepse secili nxënës ka sot një telefon të mençur dhe kjo do të mundësonte që të rritej përformanca dhe lehtësohej edhe bashkëpunimi, të rritej siguria besa. Sepse nëse shkolla do të lidhej me prindin edhe me nxënësin me një platform elektronike, do të kthehej telefoni i menqur në funksion të ngritjes së cilësisë dhe performancës së arsimit në Kosovë. Është tepër e thjeshtë. Unë jo rastësisht ua lashë në tavolina programin e LDK-së “Rruga e Re”, i cili i prioritizon projektet kryesore, dhe ne e kemi digjitalizimin si prioritet. Digjitalizimin sepse në klasat tona, përderisa sot shumë klasa nuk kanë tabela, mjete konkretizimi, laborator, digjitalizimi do të mundësonte simulimin digjital dhe do t’i shpjegonte shumë fenomene në një mënyrë të kapshme, dhe do të rritej performanca e nxënësve në të kuptuarit logjik dhe mendimin kritik, për çfarë jemi kritikuar dhe kemi dalur shumë keq në testin PISA. 

Më lejoni të them se kurikulat janë të stërngarkuara, asnjë hap nuk është ndërmarrë nga kjo Ministri për t’i shqyrtuar kurrikulat. A e dini se çfarë ka ndodhë për gjatë viteve, por posaçërisht në vitet e fundit, janë ngarkuar kurrikulat duke u rritur numri i lëndeve për klasa por duke mos u rritur numri i kohës së qëndrimit të nxënësve në shkollë. Dhe kjo vjen për shkak të mungesës së infrastrukturës, për çka thashë po ashtu se buxheti është i dedikuar, por rrin si suficit dhe nuk investohet në ngritje të kapaciteteve të klasave dhe ndërtimit të shkollave të reja, aty ku ka nevojë.

Paramendojeni sot në Kosovë kemi shkolla me 3 nxënës, por në ndërkohe kemi edhe shkolla me 40 nxënës në klasë dhe kemi në tri ndërrime. E si rregullohet kjo ose si kemi një unfikim ose implementim të kurrikulave në mënyrë të njejtë, atëherë kur nxënësit në tri ndërrime me 5 orë qëndrim në shkollë arrijnë me i përgatitë osë me i mësu 15 lëndë. Do të thotë nuk ka asnjë qasje vizionare se si do duhej të zgjidhej kjo. 

Ne e kemi paraparë procesin e riorganizmit të shkollave, aty ku mendojmë që do ta kthejmë mësimin tërëditor si synim, duke i shpërndarë nxënësit në shkollat ku ka hapësira, duke e ndërlidhur kurrikulën edhe me implementim edhe me industrinë posaçërisht për shkollat profesionale edhe duke e realizuar mësimin tërëditor, sepse përmbajtja është e stërngarkuar.

Gjithsesi mendojmë se duhet ndërhyrje e menjëhershme në kurrikulat e stërngarkuara, duke i bërë ato adekuate me moshën e fëmijes dhe duke i reduktuar në përmbajtje dhe adaptuar ato, me aftësitë e të nxënit. Ne nuk mund t’i mësojmë me përmbajtje akademike nxënësit e shkollës fillore, kjo që është duke ndodhur sot është vërtetë për kritikat maksimale. Por nuk po shohim asnjë hap, asnjë hap, sepse ju e keni parë që dy vitet e fundit arsimi në Kosovë ka filluar në mënyrë krejt dramatike. Fillimisht mandati i kësaj ministreje ka filluar me shkelje kushtetuese, aty kemi kërkuar dorëheqjen e saj, kemi thirrur edhe konferencë për rastin e dytë, kur viti shkollor 2022 ka filluar me një muaj e gjysmë vonesë, për shkak të grevës së arsimtarëve dhe për shkak të moskonsideratës së kësaj qeverie, ndaj kërkesave të tyre.

 Por edhe në vitin 2023 kemi pasur një vonesë prej 4 javësh të furnizimit të nxënësve me librat shkollor. Si mendoni se do të dalë Kosova pas 4 vitësh në testin PISA, a ua merr mendja që do të jetë më mirë se tani, ministreja kishte përmendur pandeminë, por në pandemi vetëm 11 ditë kemi humbur në mësim. Ndërkohë që pa pandeminë në 2022, por nën udhëheqjen e Vetëvendosjes i kemi humbur 1 muaj e gjysmë mësim.

 Qindra mijëra orë mësimore kanë humbur, si mendoni se do të dalim pas 4 vitesh, dhe kjo është pyetja ime me të cilën dëshiroj që ta përfundojë këtë konferencë, me dëshirën më të mirë që arsimi të kthehet në një prioritet nacional, me mundësitë që t’i ofrojmë shkollimin adekuat për secilin fëmijë dhe që Kosova të dalë më mirë, në teste ndërkombëtare. 

Këto kritika që i adresuam nuk janë kritika që po i themi si parti opozitare, por po i themi si shqetësim dhe janë të vërtetuara edhe në raportet tjera ndërkombëtare përveç PISA-së.

Ua rikujtoj raportin e fundit, i cili doli para një muaji, nga Komisioni Evropian ku e vlerëson Kosovën me 0 progres në fushën e arsimit. E normalisht që këto janë rezultatet e një ministreje që nuk ka vizion politik, e nje partie politike që arsimin e përdorë për kontroll masiv mbi sistemin, ku një kryeministër nuk dialogon me arsimtarët, për t’ua ngjallur frikën dhe për t’ua treguar sistemin sistemve të tjera se si kontrollohet një shtet dhe për këtë kjo praktikë duhet të përfundojë sa më parë sepse ka me e vendos Kosovën të fundit në rezultatet e PISA-së 4 vitet e fundit.”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *