Visar Azemi: Kjo qeveri nuk ka plan për energjinë, në planin qeverisës kanë veç dy paragrafe

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësimin për çmimin e lartë të faturave të energjisë elektrike, në një konferencë për media.

Më poshtë gjeni fjalën e z. Visar Azemi, anëtar i Kryesisë, gjatë konferencës.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, të dashur gazetarë sot e kemi thirrur këtë konferencë për media për një problem që është bërë konstant dhe thuajse i papërballueshëm për qytetarët e Kosovës, sigurisht ua merr mendja që do të diskutojmë për energjinë elektrike, për faturat dhe shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike, e cila për një pjesë të qytetarëve po bëhet e papërballueshme dhe e kanë problem se si t’i paguajnë ato.

Jemi në pjesën e tretë të muajit të janarit dhe tashmë është hera e dytë që qytetarët po pranojnë fatura me shifra marramendëse dhe shuma të papërballueshme që shumica e familjeve kosovare po e kanë hall të madh se si t’i paguajnë ato. Nëse dikush po mendon që fryerja e faturave ka ndodhur rastësisht apo ka ndonjë trend global të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike është shumë gabim.
Por duhet ta kuptojmë se si erdhëm deri tek kjo ngritje e faturave apo çmimit të energjisë elektrike që ka ndodhë dy herë gjatë qeverisë së Albin Kurtit. Ta kujtojmë që blloku A5 i termocentralit Kosova A ishte mbajtur jashtë funksionimit për disa muaj të tërë që i mundësoi shokëve të Albin Kurtit, Nagipit dhe Martinit të shisnin energjinë elektrike në Kosovë me shuma jashtëzakonisht të mëdha duke u munduar ta kompenzojnë prodhimin që ishte bllokuar nga prodhimi i termocentralit A5. E dini që patëm probleme me prokurimin në KEK dhe ata mbanin peng rikonstruimin e këtij blloku në mënyrë që importi i energjisë elektrike të vazhdonte. Kjo ka ndodhur pikërisht si rezultat i kësaj kur çmimi i energjisë elektrike në tregjet globale ka pësuar rënje qytetarët e Kosovës sot vazhdojnë të paguajnë fatura me tarifa të papërballueshme në një kohë kur secili produkt elementar është shtrenjtuar.

Pra, të mos harrojmë se çmimi i rrymës është rritur dy herë gjatë qeverisë së Albin Kurtit, i cili si opozitar pikërisht këtyre qytetarëve iu thoshte se çmimi i energjisëelektrike është shumë i shtrenjtë derisa ne qëndrojmë mbi gjithë këtë thëngjill. I njëjti, nën petkun e pushtetarit, pastaj thoshte se çmimi i energjisë është aq i lirë aq sa qytetarët nuk e kanë ditur sa kanë harxhuar. Një mashtrues tipik, mashtrues klasik, do t’i thoshte kryeministrit të sotëm Albin Kurti opozitar po të takoheshin. Teksa çmimi i rrymës u ngrit dy herë, dhe mafisë energjetike me njerëz të Kurtit si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi iu rritën shifrat e të hyrave nëpër xhirollogaritë bankare, kjo qeveri për tre vite s’i ka rritur as për një megavat kapacitetet e gjenerimit të energjisë elektrike në vend.

Në një moment, Kosova e pati mundësinë për ta ulur varësinë nga thëngjilli me projektin amerikan të gazit, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli bashkë me kryeministrin Kurti refuzuan duke u arsyetuar se projekti ka kosto të lartë dhe se me ato mjete mund të bëhen investime tjera me risk më të ulët. Por, në mbi 900 ditë qeverisje, asnjë investim nuk u bë në këtë fushë. Zero. Nën drejtimin e po kësaj ministreje të paaftë dhe jokompetente, Kosova hapi ankandin e parë për energji solare në maj të vitit që e lamë pas, i cili është shtyrë disa herë dhe vazhdon të mos ketë epilog edhe sot.

Ky është sinjali më i keq që ka mundur të jepet për investitorët dhe për sektorin e energjisë në vend sepse e ka dëshmuar se Kosova nuk është ende e gatshme të ndërmarrë hapa që e çojnë përpara në transformimin e sektorit të energjisë. Kjo qeveri nuk ka plan për energjinë. Ta rikujtojmë se për këtë sektor në planin qeverisës flasin veç me dy paragrafa. Ndërkohë që orientimi i kësaj qeverie është orientim drejt thëngjillit dhe jo tranzicionit të drejtë energjetik siç ishte zotuar Kurti para zgjedhjeve. E kemi parë që për tre vite janë riparu disa blloqe të stërvjetëruara të KEK-ut me tempo jashtëzakonisht të ngadaltë, duke i’u mundësuar Martinit e Nagipit të importonin energjinë elektrike me kosto jashtëzakonisht të lartë.
Kosova, që sipas kësaj qeverie synon që deri në vitin 2031 t’i përmbushë 35 për qind të nevojave për energji nga energjia e ripërtërishme, e ka të pamundur ta bëjë ketë me mungesën e vizionit, paaftësinë dhe dinamikat që i kemi parë deri sot.

Si Lidhje Demokratike e Kosovës, ne e kemi të qartë se kjo qeveri s’ka kapacitete dhe aftësi për të bërë më mirë sepse janë një grupacion i pa përvojë që nuk i ka dijet minimale as për energji e as për një gjë tjetër. LDK është e vetmja parti në vend që ka vizion e program specifik për ta zgjidhur problemin e energjisë e për t’iu shmangur krizave energjetike.
Siç kemi thënë në programin tonë Rruga e re, ne e shohim të pashmangshëm: – Ndërtimin e centralit me gaz amerikan me kapacitet prej 500 MW. – Gazifikimin e Kosovës me burim gazin amerikan në Aleksandropolis të Greqisë, duke kaluar përmes Shkupit drejt Hanit të Elezit, në Prishtinë e deri në Mitrovicë – Rehabilitimin e mirëfilltë të termocentralit Kosova B duke i rritur kapacitetin gjenerues në 560 MW – Eficenca e energjisë në shkallë vendi për ta ulur konsumin energjetik – Përqëndrimin tek energjia e ripërtërishme duke ndërtuar kapacitete prej 1.000 MW: 500MW nga burimet solare dhe 500MW nga burimet e erës.

Krahas këtyre, parashohim edhe uljen e TVSh-së në 0% në faturat e energjisë elektrike, uljen e taksave doganore dhe tatimet në zero euro për veturat elektrike dhe dyfishimin e projektit dhe kogjenerimeve të ngrohjes qendrore në Prishtinë e Obiliq për të vazhduar dhe me komunat tjera. Ky është plani ynë, sepse ne e kemi një të tillë që është i realizueshëm dhe që do të sjellë rezultate konkrete. Kurse Qeverisë nuk po i shohim plan. Nëse kanë, le të urdhërojnë, le ta zgjedhin cilëndo studio televizive kurdo që duan dhe t’i debatojmë e të argumentojmë se cila është zgjidhja e së ardhmes për energjinë. E ftoj nga sot ministren Rizvanolli në debat publik për këtë çështje sepse në pyetje janë qytetarët e Kosovës dhe interesat tona.

Çmimi i energjisë elektrike po rritet, ndërsa qeveria po fle.

Ju faleminderit!”


Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *