Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për medie, ku ka adresuar shqetësimet e saj për gjendjen e rëndë në shëndetësi. Më poshtë gjeni fjalën e z. Armend Zemaj, deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Të nderuara media të pranishme që jeni sot këtu me ne, këtë konferencë së bashku me Dr. Valon Bellanica e kemi thirrur në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të folur rreth gjendjes në shëndetësi në Republikën tonë.
Tashmë kur po kalojnë gati tre vite nga qeverisja e partisë në pushtet, gjendja në sektorin e shëndetësisë, vazhdon të përkeqësohet edhe më shumë. Këtë fakt nuk po e themi vetëm ne si LDK, por gjithë mekanizmat e demokracisë, duke nisur nga gazetarët që raportojnë dhe hulumtojnë lidhur me shëndetësinë, e deri së fundmi tek Raporti i Progresit për vendin.
Hiç më larg se dje, e kemi parë dorëheqjen e të gjithë menaxhmentit ekzekutiv, të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës. Por përveç Mitrovicës, mos të harrojmë se muaj më parë kemi pasur dorëheqje edhe në Spitalin e Pejës, të Gjakovës dhe në disa klinika të Qendres Klinike Universitare të Kosovës. E krejt këto po ndodhin, ashtu siç kemi tërhequr vërejtjën, si pasojë e ndërhyrjeve të ministrisë së Shëndetësisë direkt në punën e stafit shëndetësor.
Deri sa po flasim këtu, në institucionin kryesor shëndetësor në vend, emergjencën e Qendrës Klinike, mungojnë gjërat elementare si katetrat, shiringat e madje nuk ka furnizim të mirë as me infuzione. Por edhe ato infuzione të cilat i ofron ministria e Shëndetësisë, fatkeqësisht na kanë dalur se janë nga Serbia, shtet ky të cilin askush më shumë se partia në pushtet nuk e ka kritikuar për furnizime, por se një gjë e tillë po bëhet për interesa klanore dhe biznesore.
Kjo Qeveri, nëse shumë pak ka punuar në fushat e tjera, e themi me bindje të plotë se në shëndetësi nuk ka punuar fare.
Ja faktet të cilat tregojnë se nuk ka punuar fare, e madje këto fakte tregojnë qartë paaftësinë e tyre qeverisëse:
Për tre vite qeverisje janë ndërruar tre ministra, përfshirë edhe vet Kurtin si të vetëmëruar me Komisionin e tij ekzekutiv, e katër drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar. Nuk ka asnjë strategji për shëndetësi, më shumë se 200 mjekë po ikin në vit, e për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria, madje kryeministri i vendit tonë bënte deklarata qesharake, duke thënë se gjendja nuk është aq keq sa raportohet me numra të fryer.
Nuk kemi asnjë investim kapital, kemi ankesa të njejta nga të gjitha Odat e Profesionistëve Shëndetësor. Që tri vite qeverisje kemi listë të gjatë të pritjes nga pacientët, madje edhe injorim të kërkesave të specializantëve me arrogancë.
Fondin shëndetësor të cilin e ka premtuar ministri Vitia që tri vite, nuk e kemi asgjëkundi. E madje lajmi kryesor i ditës, të cilin po e them për herë të parë në këtë konferencë, është se pikërisht ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për Shëndetësi dhe ligjin për Sigurime Shëndetësore.
Kam informacione të sakta, të konfirmuara, se ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm ashtu siç është bartur që tri vite me radhë.
Do të thotë prioritetet dhe premtimet e qeverisë, me të cilat erdhën në pushtet, tani po kalojnë në bartje për vitet e ardhshme.
Por dështimi i kësaj ministrie nuk mbaron, sepse nuk mbarojnë interesat e tyre. Përderisa specializimet për mjekë janë vonuar jashtëzakonisht shumë, arsyeja është që ministri Vitia u dashtë të priste që këshilltari i tij të mbaronte fakultetin e mjekësisë dhe të merrte në mënyrë jomeritore specializimin.
Këto që po i them nuk janë gjëra subjektive, nuk janë të pavërteta, e as nuk janë tendencë për fyerje së ministrisë së Shëndetësisë, por janë fakte të cilat i thotë edhe Raporti i Progresit, citoj “Nuk ka progres në shëndetësi, asnjë progres në legjislacion, mungon llogaridhënia dhe performanca, ka vendimmarrje pa të dhëna si dhe shpenzimet të qytetarëve të shumta nga xhepi i tyre.
Kur jemi tek vlerësimet e mekanizmave institucional, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërtetuar këto që i thash deri tani, duke potencuar se janë hiq më pak se 36 raste me parregullësi në menaxhimin e kontratave të punës, parregullësi në procedim të pagesave, e shumë gjëra të tjera.
Paaftësinë e këtij pushteti e sqaron më së miri Raporti i Shpenzimeve tek Projektet Kapitale për Periudhën Janar- Shtator, ku ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm 8% të buxhetit nga shpenzimet kapitale.
Imagjinojeni 0%, në thuajse të gjitha projektet e premtuara. 0% shpenzime në autoambulanca dhe automjete të tjera të nevojshme, 0% shpenzime në paisje të reja mjekësore, 0% shpenzime në ndërtimin e QKMF-ve të premtuara, e shumë dështime të tjera.
Por, më tragjike është se nuk ka plan për ta ndryshuar gjendjën në shëndetësi. Kjo qartësohet në projektbuxhetin e vitit 2024.
Sepse ky projektbuxhet është buxhet joreal, buxhet më i vogël se sa vitin e kaluar, ulje të buxhetit në mallra dhe shërbime, ulje të buxhetit në transfere si dhe paramendojeni 81% e investimeve kapitale, janë vazhdimësi e projekteve të viteve të kaluara, asnjë cent më shumë për barna, asnjë cent për punësim të kuadrove të reja.
Të gjitha këto dështime të njëpasnjëshme, janë pasqyrë e një qeverie manipuluese dhe që më së paku e don punën e përparimin e vendit, e sidomos të këtij sektori.
E them qartë dhe zëshëm se nuk ka shpresë nga kjo qeveri për përmirësim në sektorin e shëndetësisë. Shëndetësia po rrënohet dita ditës, me gabime trashanike.
Në fund, nuk mund të mos them dhe nuk mund të mos kemi thirrje për reflektim të Qeverisë në emër të LDK-së, pikë së pari dhe si nënkryetar i Komisionit për Shëndetësi e pastaj edhe si ish ministër i Shëndetësisë.
Reflektoni për hirë të profesionistëve shëndetësor, për hirë të pacientëve sepse Kosova meriton më mirë, e njerëzit e Kosovës nuk ua kanë borxh paaftësinë e juaj, të cilën po e vuajnë në sistem të shëndetësisë.”